E Diel, 1 Nëntor 2026

Qepët kontrabandë çojnë dy doganierë në pranga

Maunia që vinte nga Maqedonia kishte për destinacion kryeqytetin. Policia ndalon edhe shoferin

Kontrabanda e qepëve nga Maqedonia ka vënë në pranga dy doganierë të pikës kufitare të Goricës. Një maune me destinacion Tiranën, e ngarkuar me qepë, e cila vinte kontrabandë nga shteti fqinj maqedonas, ka çuar në pranga dy punonjës të doganës së Goricës. Burimet e Policisë së Korçës dhe të sektorit të krimit ekonomik bënë të ditur se dy doganierët janë arrestuar, pasi kanë favorizuar kalimin e mallit kontrabandë, ndërsa nga kontrolli i mjetit nuk është gjetur asnjë dokumentacion për hyrjen nëpërmjet këtij vendkalimi kufitar për deklarimin e mallit në doganë. Policia ka arrestuar dy punonjësit e doganës, të cilët kanë qenë në detyrë në momentin e kalimit të maunes, shtetasit Piro Tite dhe Arben Toslluku të dy nga qyteti i Korçës. Mësohet se ata janë arrestuar rreth orës 18:00 të së hënës, kur nga një kontroll i ushtruar nga policia dhe sektori i antikrimit ekonomik, është kapur një maune me targa të Tiranës që po udhëtonte me ngarkesë drejt kryeqytetit, për të cilën nuk kishte dokumente që vërtetonin kryerjen e zhdoganimit. Nga kontrolli në maune me targa TR 2830 N janë gjetur 889 kilogramë qepë kontrabandë që kishin kaluar nëpërmjet doganës së Goricës. Mjeti është kapur dhe ndaluar në aksin Korçë-Pogradec, ku në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, është zhvilluar një kontroll nga ana e sektorit të krimit ekonomik dhe policisë së Korçës. Krahas dy doganierëve, policia ka vënë në pranga edhe drejtuesin e mjetit të tonazhit të rëndë, shtetasin Blerti Gjonaj nga Tirana. Sipas të dhënave të policisë, qepa që hynte kontrabandë nga Maqedonia, ishte destinuar për shitjen me shumicë në tregun vendas.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›