Dëmshpërblimet e tërmetit, vijojnë ankesat
Bulqizë, në listat e hartuara nga ekspertët mungojnë emrat e shumë prej të dëmtuarve
Pasojat e tërmetit shkatërrues të 6 shtatorit të vitit të kaluar në Qarkun e Dibrës, ende vazhdojnë të ndihen si në ditën e parë të rënies së tij, edhe pse, sipas qeverisë, është bërë dëmshpërblimi i banesave të dëmtuara. Banorët ankohen se vazhdon e njëjta situatë, madje edhe më e rëndë, po të kemi parasysh se tashmë ka sosur edhe shpresa e tyre për t’u dëmshpërblyer, pasi një proces i tillë quhet i mbyllur nga ana e qeverisë. Por edhe pas gati 6 muajsh nga rënia e këtij tërmeti, banorët e komunave të prekura: Gjoricë, Zerqan, Ostren, Shupenzë, vazhdojnë të ankohen për diferencime në dëmshpërblimin e tyre. Janë me dhjetëra familje në çdo njërën nga këta komuna, që ankohen se nuk janë dëmshpërblyer për dëmet e shkaktuara, edhe pse banesat e tyre janë të dëmtuara. “Shtëpia ime u regjistrua për dëmshpërblim nga komisioni i verifikimit të qeverisë, por çuditërisht në listat e dëmshpërblimit të ardhura nga Tirana, nuk figuronte emri im. Nuk jam vetëm unë në fshatin tim që kam ankesa, jemi mbi 10 familje që nuk jemi përfshirë në listat e dëmshpërblimit. E çuditshmja është se në fshatin tim gjendet emri i një banori që nuk i përket fshatit të Peladhisë, por as edhe një fshati tjetër të Komunës së Zerqanit, ndërkohë që emri im dhe i mjaft shokëve të mi nuk ekziston”, thotë A. Rama, banor në fshatin Peladhi të Komunës Zerqan. Ndërkohë, banorët që nuk janë përfshirë në listat e dëmshpërblimit kanë vijuar me ditë edhe muaj ankesat pranë autoriteteve vendore përkatëse të komunave të tyre, si edhe në Prefekturën e Qarkut të Dibrës. “Deri para pak ditëve na kanë mbajtur me mashtrime, duke na thënë se do të përfshihej në listat e dyta, që pritet të vijnë nga Tirana”, thotë një tjetër banor me inicialet F. F. Ndërkaq, banorët që nuk janë dëmshpërblyer për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, dyshojnë se diferencimi i tyre ka ardhur nga autoritetet e komunës, pasi konsiderohen prej tyre si kontingjent që votojnë majtas. “S’ka si të jetë ndryshe, pasi unë me kushëririn tim jetojmë në të njëjtën çati, ku ai është dëmshpërblyer dhe unë jo”, thotë një banor i kësaj zone. Gjithsesi, edhe pse rastet që evidentojnë banorët për diferencim të hapur në dëmshpërblimin e tyre nga pasojat shkatërruese të tërmetit të 6 shtatorit, pak gjasa ka që ata të ripërfshihen në lista të dyta dëmshpërblimi, që u është thënë se priten të vijnë nga Tirana.
#