Agjencia e pronave merr 27 mijë metra katrorë tokë
Qeveria vendosi dje t’i kalojë një sipërfaqe prej 27070 metra katrorë truall shtetëror Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Por vendimi i Këshillit të Ministrave nuk saktëson se ku është e vendosur ky truall. “Sipërfaqja prej 27070 m², me numër pasurie 257/2, zëri kadastral ‘Shesh’, pronë shtetërore, sipas gentplanit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kalojë në fondin e kompensimit fizik e të vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në përputhje me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar”, theksohet në vendimin e qeverisë. Qeveria autorizon Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që pasi të bëjë verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit, ta përdorë atë për kompensimin e pronarëve, sipas kritereve të përcaktuara në ligj. Por nga ana tjetër, për vendndodhjen e truallit nuk kishte dijeni as kryetari i AKKP-së, Elvis çepa. Në një prononcim për “Shqip”, çepa theksoi se ende nuk kishte dijeni se ku ishte i vendosur ky truall dhe se me këtë do të njihej në ditët në vazhdim. Sipas tij, në mënyrë të herëpashershme qeveria kalonte për miratim në mbledhjet e saj sipërfaqe trualli të cilat konsideroheshin si të përshtatshme për fondin e kompensimit fizik të ish-pronarëve të tokave.
#