E Diel, 1 Nëntor 2026

Pitella: Duhet të rikthehet dialogu politik në Shqipëri

Zv.kryetari i Parlamentit Europian takohet me Bamir Topin dhe Jozefina Topallin

Zv.presidenti i Parlamentit Europian, Giovani Pitella, ka kërkuar dje që të nisë dialogu politik në vend për zgjidhjen e krizës politike. Pitella ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe ka zhvilluar një takim në Durrës. Eurodeputeti italian ka vlerësuar rolin e kreut të shtetit, duke ravijëzuar nisjen e një tryeze të re politike.

Me Topin

Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se në bisedën mes tyre, Pitella, duke shprehur besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në BE, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces. Më tej zoti Pitella vlerësoi lart rolin pozitiv e moderues të Presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik, duke vënë në pah gjithashtu edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajonin Ballkanit Perëndimor dhe në integrimin e këtij rajoni në familjen europiane. Nga ana e tij, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politike aktuale në vend, Presidenti Topi shprehu dhe vullnetin për rritjen e kontakteve me Parlamentin Europian.

Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Europian. Presidenti Topi shprehu gjithashtu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike me Italinë dhe theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat është mjaft i rëndësishëm. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia.

Me Topallin

Gjatë takimit me Kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv.presidenti i Parlamentit Europian, Giovani Pitella, ka bërë thirrje për zhvillimin e një dialogu politik në Kuvend. "Parlamenti është shtëpia e të gjithëve dhe ne favorizojmë dialogun në Parlament", ka thënë ai. Siç bën të ditur zyra për shtyp e Kuvendit, Topalli ka deklaruar se “unë shpresoj që deputetët e opozitës të bëhen pjesë jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira e të ndershme të realizuara në Shqipëri, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet për ekonominë, shëndetin, arsimin, rrogat e pensionet”.

Durrës

Zv/presidenti i Parlamentit Europian, Giovani Pitela, ka zgjedhur Bashkinë e Durrësit dhe deputetët socialistë për të promovuar shoqatën europiane “MesEuro”, president i së cilës është, në Shqipëri. Kryebashkiaku i Durrësit i ka kërkuar atij që të ndërhyjë duke çelur një debat që të thyejë pozicionimin e hapur të disa diplomatëve, europarlamentarëve kundër procesit të liberalizimit të vizave për vendin tonë. Numri 2 i Parlamentit Europian bëri thirrje për një klimë të qetë politike në vend, ndërsa vlerësoi se një Europë e bashkuar mund të konkurrojë denjësisht me superfuqitë e tjera jashtë kontinentit tonë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›