E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitet për administratën publike

Kryeministri porosit vartësit: Brenda vitit të ardhshëm të vihet në jetë projekti

Vitin e ardhshëm pritet të ngrihet Universiteti i Administratës Publike për të trajnuar dhe kualifikuar punonjësit e institucioneve shtetërore. Ky ishte afati që vendosi dje Kryeministri Sali Berisha, i cili në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave kërkoi që ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ai i Brendshmi, Lulëzim Basha, të nisnin menjëherë punën për ta vënë në jetë këtë projekt. “Ngritja e këtij universiteti është një domosdoshmëri për të trajnuar, kualifikuar dhe shkolluar punonjësit e administratës publike”, theksoi Berisha në fjalën e tij. Por Kryeministri e konsideroi këtë projekt si domosdoshmëri nisur nga fakti se së shpejti Shqipëria pritej të merrte edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Sipas Berishës, marrja e këtij statusi do të hapte edhe një etapë të re dhe të ndryshme komunikimi me Komisionin Europian, situatë e cila kërkonte njerëz të kualifikuar. “Me marrjen e statusit të vendit kandidat para Shqipërisë hapet një etapë e re në marrëdhëniet me BE-në, ajo e negocimit të dhjetëra kapitujve të procesit të integrimit të plotë të vendit në BE”, konkludoi Berisha. Sipas Kryeministrit, aktualisht pranë Departamentit të Administratës Publike ekziston një institut trajnimi për administratën, por ai me të gjitha përpjekjet e bëra, nuk ka arritur dot të sjellë rezultate të kënaqshme për sa i përket trajnimit të punonjësve. “Vetë departamenti nuk e ka të thjeshtë t’i zhvillojë dhe konsolidojë atributet arsimore edukative të një shkolle të mirëfilltë”, shpjegoi Kryeministri, duke nënkuptuar kështu edhe shkrirjen e këtij instituti, pas çeljes së universitetit. Po kështu, Kryeministri theksoi se duke nisur që nga kjo javë, duhet të krijohet grupi i punës i cili do shqyrtojë të gjitha opsionet e ngritjes dhe funksionimit të këtij universiteti, duke marrë modele nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Kryeministri theksoi se në lidhje me këtë projekt ambicioz për administratën publike do t’u kërkohej ndihmë e drejtpërdrejtë edhe vendeve të Bashkimit Europian, të cilat kishin eksperiencën e nevojshme në lidhje me këtë fushë. Administrata e vendit u përfshi intensifikisht për rreth tre muaj edhe në procesin e kthimit të përgjigjeve për pyetësorin që Komisioni Europian i dorëzoi Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Në trajtimin e pyetjeve u angazhuan rreth 1200 punonjës të administratës, të cilët ishin zyrtarë të të gjitha niveleve. Po kështu, në këtë proces krahas administratës shqiptare u përfshinë edhe mbi 27 ekspertë të vendeve të ndryshme europiane, si edhe institucioneve ndërkombëtare dhe agjenci. Por marrja e statusit kandidat që pritet nga qeveria të ndodhë në fund të këtij viti, pritet ta vendosë administratën shqiptare në marrëdhënie të drejtpërdrejta me Brukselin zyrtar. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje të herëpashershme qeverive zyrtare për nevojën e një administrate publike të qëndrueshme dhe të mirëtrajnuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›