Ligji i SHISH, NATO dërgoi përfaqësuesit në Tiranë
çdo ditë e më shumë dalin në dritë prapaskenat e tërheqjes së projektligjit për Shërbimin Informativ Shqiptar nga mazhoranca pas presionit të vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar. Burime diplomatike bëjnë të ditur për “Shqip”, se disa ditë më parë ka zhvilluar takime në Kuvendin e Shqipërisë një delegacion i NATO-s nga Brukseli, e përkatësisht nga zyra e sigurisë NOS. Detajet e bisedimeve nuk bëhen të ditura, por mësohet se objekti ka qenë konsultimi në lidhje me përshtatshmërinë e draftit të SHISH-it me standardet të NATO-s. Nga zyra e shtypit e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel bëjnë të ditur se këto informacione i përkasin gamës “informacion i klasifikuar”, ndaj nuk kanë dhënë komente. Ndërkaq, vetë kreu i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, e ka konfirmuar këtë fakt gjatë një prononcimi për VOA. Mësohet se delegacioni i NOS ka marrë me vetë në Bruksel draftin e hartuar në fillim nga qeveria e më pas i ndryshuar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë dhe pritet që ta studiojë në zyrat e saj në Bruksel. Pas shqyrtimit me hollësi të draftit nga ekspertët e zyrës së NATO-s për sigurinë, do të dërgohen në Tiranë të gjitha vërejtjet në lidhje me plotësimin e standardeve të Aleancës. Shqipëria është anëtar me të drejta të plota, por detyrimi i një vendi anëtar është plotësimi në një linjë i të gjitha ligjeve dhe strukturave të sigurisë, por edhe institucioneve demokratike. Ndërkaq, siç ka bërë të ditur dje “Top Channel”, vendimtare për tërheqjen e mazhorancës nga futja në seancë plenare i draftit për Shërbimin Informativ Kombëtar ka qenë pikërisht një telefonatë “diplomatike” midis sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Siç thekson “Top Channel”, sekretari i NATO-s i ka kujtuar Kryeministrit shqiptar në këtë bisedë detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Thelbi i bisedës ka qenë se kur Aleanca ka një shqetësim të kësaj natyre, Shqipëria nuk mund ta injorojë atë dhe të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e nisur. Drafti mbi Shërbimin Sekret Shqiptar ka shkaktuar polemika të mëdha që prej miratimit të tij nga qeveria, duke provokuar reagimin e Uashingtonit zyrtar nëpërmjet ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, John Withers, por edhe të kreut të Delegacionit të BE-së, Helmut Lohan. Në javët e para të muajit, në tryezën e Kryeministrit Berisha ka mbërritur një letër “top secret” nga selia qendrore e NATO-s në Bruksel. Kjo letër kërkonte bllokimin e të gjitha procedurave për miratimin e ligjit të SHISH-it, i cili, sipas Aleancës së Atlantikut Verior, shkel standardet e organizatës që Shqipëria është anëtare me të drejta të plota që nga viti i kaluar. Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, deklaroi se shkelen të drejtat e një institucioni të pavarur. “Ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ, të cilat janë shqetësuese”, theksoi ambasadori i SHBA-së.
#