Avokati: Qëndrimi i deputetëve, tendencioz
Në një deklaratë të zyrës së shtypit të Avokatit të Popullit theksohet se qëndrimi i mazhorancës ka qenë me tendencë dhe për herë të parë në 10 vjet pune është sulmuar ky institucion i pavarur. Në këtë deklaratë theksohet se “pas 10 vjetësh, për herë të parë anëtarë të caktuar të këtij komisioni shprehin akuza të tilla ndaj AP-së, të cilat kanë për qëllim të sulmojnë pavarësinë e këtij institucioni. AP ka iniciuar çështje pranë Gjykatës Kushtetuese sa herë e ka çmuar të nevojshme, qoftë me nismën e vet, qoftë me kërkesë të subjekteve që i janë drejtuar atij, qofshin këta persona juridikë apo fizikë. Gjithashtu, për herë të parë vihet në dyshim transparenca e institucionit, duke e argumentuar këtë me volumin dhe formatin e raportit, që do të thotë për faktin e vetëm që ne nuk duam ta besojmë, se deputetët mesa duket përtojnë të lexojnë raportin voluminoz të AP-së dhe çka është e papranueshme, përpiqen të imponojnë një strukturë tjetër, kur tashmë ajo është vendosur prej 10 vjetësh, sipas strukturës së raportit të Ombudsmanit danez, roli i të cilit në ngritjen dhe zhvillimin e këtij institucioni është thelbësor.
Tendenca e mësipërme dhe qëndrimi pasiv i pjesës tjetër të komisionit, në kushtet edhe të mungesës së opozitës, e vendos raportin e AP-së para një gjykimi të njëanshëm, që synon të zhvlerësojë punën dhe imazhin 10-vjeçar të këtij institucioni”.
#