E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca sulmon ashpër Avokatin e Popullit: Ka qenë i njëanshëm

Seanca Pas KLSH-së vazhdojnë sulmet e deputetëve të PD-së ndaj institucioneve të pavarura

Mazhoranca sulmon ashpër institucionin e Avokatit të Popullit, i cili më shumë se një herë në raportet e tij ka shënjestruar qeverinë për shkelje të të drejtave të qytetarëve. Deputetët e mazhorancës kohët e fundit kanë lëshuar akuza të mëdha ndaj institucioneve të pavarura, të cilat kanë qenë kritike ndaj qeverisë, si KLSH-ja dhe Avokati i Popullit, ndërkohë kanë përkëdhelur ata që kanë qenë në një linjë, siç ishte rasti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Parlamentar të çështjeve Ligjore, deputetët e Partisë Demokratike, pasi mungonte opozita, e kanë akuzuar Avokatin e Popullit për shkelje të ligjit, kalim të kompetencave, mbrojtje të interesave preferenciale, ndërkohë që ky institucion i pavarur ka 10 vjet jetë dhe në raportet e tij vetëm sa ka ndjekur ankesat e bërë nga qytetarët.

Raporti

Në mungesë të kreut Ermir Dobjani, të cilit i ka mbaruar mandati, dje ka raportuar Riza Poda, Avokati i Popullit në detyrë. Poda theksoi se në vitin 2009 u morën nga Avokati i Popullit në shqyrtim 3734 kërkesa nga qytetarët, ku binin në sy fenomene të njohura tashmë në vendin tonë. Poda tha se problem në vend mbetet gjakmarrja, si dhe dhuna në familje, tashmë të kritikuara edhe nga raportet ndërkombëtare, më i fundit si ai i “Amnesty International”.

Sulmi

Deputetët e Partisë Demokratike, si në pyetjet e tyre, por edhe në diskutime, e kanë akuzuar Avokatin e Popullit se ka qëndrime preferenciale, duke përmendur faktin se në raportet e tij ky institucion nuk ka thënë asgjë pozitive të arritur nga qeveria, ndërkohë që detyrë e “Avokatit...” është evidentimi i shkeljes së të drejtave të qytetarëve. Ndërkaq, deputeti Aldo Bumçi shkoi më tej në akuzat e tij, duke thënë se ky institucion nuk ka evidentuar shkeljet e bëra nga bashkitë e qyteteve (të cilat në shumicë drejtohen prej PS-së). Alibeaj e ka akuzuar Avokatin e Popullit se në ato pak raste kur Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk ka respektuar procedurën
ligjore. Kurse deputeti Eduard Halimi ka deklaruar se Avokati i Popullit ka qenë më shumë avokat privat gjatë mbrojtjes së të drejtave të bizneseve të caktuara, ndërkohë që nuk ka evidentuar shkeljet e bëra nga gjykatat, por edhe nga prokuroria. Në fund të mbledhjes është miratuar një rezolutë, e cila shpreh të gjithë qëndrimin refraktar të mazhorancës. Në këtë rezolutë vihen një mal me detyra ndaj institucionit të pavarur. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, theksoi se “duhet që në metodologjinë e raportimit të keni konkluzionin e qartë, me një fjalë se cila ka qenë gjendja e respektimit të të drejtave të njeriu në vend”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›