KKRT: Pirateria po shtohet, nuk kemi fuqi
Kreu i Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve, Endira Bushati, ka raportuar dje në Komisionin e Medias në lidhje me punën e saj vjetore. Sipas kreut të KKRT-së, pirateria televizive vazhdon të sundojë në ekranet televizive shqiptare, ndërsa ky institucion është i pafuqishëm për të ndërhyrë. Një tjetër problem shqetësues në raportin e KKRT-së është ngritja e operatorëve kabllorë pa kriter dhe për më tepër të palicencuar, një dukuri të cilën KKRT deklarohet e pafuqishme për ta vënë nën kontroll. “Rezulton se fenomeni i transmetimit pa të drejta ose siç njihet ndryshe pirateria televizive, mbetet ende i pranishëm, sidomos në operatorët radio-televizivë kabllorë dhe operatorët radio-televizivë analogë vendorë, sinjali i të cilëve nuk kapet nga studioja e monitorimit në KKRT. Aktivitetet sportive ndërkombëtare, Champions Ligue, Seria A, Bundesliga, Premiere Ligue, Primiera Division janë programe televizive që piratohen më së shumti nga operatorët kabllorë. Shqipëria është e vonuar në procesin e kalimit të transmetimeve analoge në ato numerike dhe afati i parashikuar nga Bashkimi Europian, 31 dhjetor 2012 duket se është i pamundur për t'u respektuar nga vendi ynë.
#