Agjencia raport për centralin bërthamor
TIRANE- Ndërtimi i centralit bërthamor në Shqipëri është një realitet i pamohueshëm. Krijimi i Agjencisë Kombëtare për Burimet Natyrore, agjenci shtetërore në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, është njëri nga faktet që ky central nuk do të vonojë të ndërtohet në Shqipëri. Faqja e internetit e kësaj agjencie shtetërore nuk hapet, por ajo është e anëtarësuar në faqe të tjera të huaja, ku bëhet e ditur se një angazhimet kryesore të agjencisë është energjia nukleare. Detyra kryesore e kësaj agjencie njoftohet se është të shprehet me anë të një raporti të hollësishëm lidhur me rrezikshmërinë, apo për projektin e ndërtimit të centraleve dhe reaktorëve nuklearë në një zone kufitare apo brenda territorit. Me anë të këtij raporti, agjencia në fjalë duhet të bëjë të njohur nëse ky ndërtim sjell efekte negative si për Shqipërinë ashtu dhe për vendet e tjera kufitare. Ky raport do t’i dorëzohet drejtuesve të ministrisë, prej së cilës varet agjencia, të cilët duhet informojnë qeverinë brenda 10 ditëve për të gjitha detajet e parashikuara të relatohen në këtë dokument. Do të jetë vetë ministria e cila do të aktivizojë nga ana e saj studime për efektet që do të ketë te mjedisi dhe popullsia ndërtimi i një centrali të tillë. Të gjitha këto të dhëna do t’i dërgohen Agjencisë Ndërkombëtare të Centraleve Bërthamore, me qendër në Vjenë. Nga ana tjetër, Shqipëria po përgatit kuadrin ligjor për zbatimin e projekteve nukleare dhe për të treguar angazhimin e saj në këtë kuadër. Duket që këto përgatitje do të jenë pjesë e bisedimeve që do të zhvillohet në Shqipëri mes Kryeministrit Berisha, i cili më 2 dhjetor pret në Tiranë homologun e tij italian, Silvio Berluskoni. Gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, ministri i Jashtëm, Fratini, u shpreh se janë vendosur kontaktet me Shqipërinë për të mbërritur në një marrëveshjeje për ndërtimin e një impianti bërthamor, për të transportuar energjinë drejt Italisë me anë të një kablloje të transmetimit nënujor. Ndërsa të enjten e kaluar, ambasadori italian në Shqipëri kishte mohuar faktin se ka projekte konkrete mes Italisë dhe vendit tonë për një projekt të tillë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)