E Diel, 1 Nëntor 2026

Damir Fazliç, në prokurori ata që i shitën tokat

Nga Klodiana Lala
Pronarët do të pyeten sesi kanë hyrë në lidhje me Damir Fazliç. Me çfarë çmimi ia kanë shitur tokën, si kanë negociuar me të dhe para cilit noter janë përpiluar dhe firmosur kontratat e shitblerjes. 

TIRANE- Të gjithë pronarët që i shitën tokë serbo-boshnjakut Damir Fazliç, i dyshuar për pastrim parash në Shqipëri, do të paraqiten në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime. Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare të këtij institucioni, të cilat shprehen se marrja në pyetje e tyre është mjaft e domosdoshme për hetimin e çështjes. "Pronarët do të pyeten sesi kanë hyrë në lidhje me Damir Fazliç. Me çfarë çmimi ia kanë shitur tokën, si kanë negociuar me të dhe para cilit noter janë përpiluar dhe firmosur kontratat e shitblerjes", - saktësuan burimet. Në këtë mënyrë do të mund të mblidhen mjaft të dhëna, mbi bazën e të cilave do të vërtetohet nëse biznesmeni Fazliç ka pastruar para në vendin tonë. Serbo-boshnjaku, hetimet ndaj të cilit kanë nisur dy muaj më parë, është zotërues i dy pronave në zonën e Porto Romanos, si dhe Fshatit Rinia, të veri të Durrësit, që tashmë ndodhen nën sekuestro. Prokuroria, pasi ka marrë në dorë përgjigjen e hipotekave për vendndodhjen e këtyre pronave, sipërfaqen e tyre si dhe të dhëna të tjera, ka vendosur që të marrë në pyetje të gjithë personat që i kanë shitur tokë Fazliç. "Pasi të pyesim pronarët e pronave, do të marrim në pyetje dhe noteren që ka nënshkruar kontratat, për të parë nëse procedurat janë ndjekur në rregull", - saktësoi një burim. Duke pasur detaje të tilla dhe pasi të përplasen faktet që japin pronarët e tokës, si dhe të dhënat e deklaruara nga Fazliç në hipotekë, apo në kontratat e shitblerjes së pronave, prokuroria do të jetë në gjendje të vërtetojë nëse ai ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave.
Hetimet
Hetimet ndaj Damir Fazliç nisën dy muaj më parë, nga njësia e specializuar e Task-Force në Prokurorinë e Tiranës. Dy ditë pas regjistrimit të procedimit penal ndaj serbo-boshnjakut, Prokuroria vendosi sekuestron mbi tetë kompanitë e tij, si dhe të gjitha pronat e tjera. Fazliç e ka cilësuar si të paligjshëm këtë urdhër, ndaj i është drejtuar gjykatës me një kërkesë penale duke kërkuar heqjen e sekuestros mbi pronat e tij. Në kuadër të hetimeve ndaj biznesmenit serbo-boshnjak është marrë në pyetje dhe Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për shkak se ka qenë administrator i të paktën tri kompanive të Fazliç.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›