Agjencitë: Turizmi, ulja e çmimeve rrit kërkesat për pushime jashtë kufijve
Operatorët turistikë në kryeqytet janë ata që kanë më shumë punë këtë periudhë se çdo ent tjetër privat apo shtetëror. Ndërsa të tjerët pushojnë, ata ofrojnë pushime. Operatorët turistikë shprehen se ky është një vit i mbushur me punë dhe ka një fluks të rritur kërkesash për pushime jashtë kufijve në krahasim me një vit më parë. Madje, sipas tyre, charterat e përgatitur edhe për pesëmbëdhjetëditëshin e dytë të gushtit janë rezervuar e gjithashtu edhe hotelet. Për destinacionin e Spanjës, thonë ata, janë përfunduar prenotimet deri në fund të gushtit edhe pse çmimet janë disi të kripura deri në mbi 2000 euro me të gjitha vaktet të përfshira në paketë. Edhe pse bilancet krahasuese nuk janë bërë ende nga agjencitë turistike në kryeqytet, ata raportojnë se nga fluksi i punës, krahasuar me një vit më parë ka 30% më shumë kërkesa dhe sigurisht sipas tyre të ardhurat do të rezultojnë më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Ata argumentojnë fluksin e kërkesave nga ana e qytetarëve shqiptarë për të pushuar jashtë kufijve me heqjen e vizave, por mbi të gjitha me krizën greke dhe krizën e eurozonës në tërësi, e cila ka ndikuar në uljen maksimale të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Sipas operatorëve turistikë, destinacionet më të lakmuara nga shqiptarët këtë vit janë Greqia, Turqia, Spanja dhe vendet e rajonit. Turqia vazhdon të mbetet sipas tyre vendpushimi më i preferuar i shqiptarëve për shërbimin cilësor dhe sasior sidomos në ushqim. Ndërsa ishujt grekë, mbajnë këtë vit rekord përsa i përket çmimeve të ulura dhe heqjes së vizave. Ndërsa destinacioni i Spanjës, edhe pse është vetëm viti i dytë që eksperimentohet nga agjencitë turistike në kryeqytet, ka patur këtë vit kërkesa maksimale. Ndërsa ndër vendet e rajonit, Mali i Zi preferohet për shkak të çmimeve, pasi Kroacia vazhdon si çdo vit edhe pse e preferuar të ketë një standard të lartë jetese në sezonin turistik duke ofruar mallrat dhe shërbimet me çmime shumë të larta. Ndërsa në Kroaci nuk mund të blesh një paketë turistike me më pak se 500 euro çifti për 7 ditë, në Mal të Zi në hotel Spendit mund të prenotosh një javë pushime verore duke patur të garantuar mëngjesin dhe darkën vetëm për 270 euro për çift.