E Diel, 1 Nëntor 2026

Kavaja, dy resorte të reja turistike prej 1 mld euro investime

SHKRUAN: Sabina Veizaj 23-07-2011 11:46

Kavaja shumë shpejt do të ketë dy resorte turistike të standardeve perëndimore. Projektet që do të aplikohen për këtë qëllim kapin shifrën e 1 mld euro secili.

Bëhet fjalë për bregdetin e Goses dhe Synejt, në rrethin e Kavajës. Projektet do të zbatohen nga konsorciumi britanik Development shpk dhe konsorciumi zviceran Finsec ltd. Ka qenë bordi i Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA) me prezencën e kreut të qeverisë, Berisha, që mori në shqyrtim dhe miratoi ndjekjen e procedurave për realizimin e dy projekteve për zhvillimin e resorteve turistike në bregdetin e rrethit të Kavajës. Projekti i parë parashikon ngritjen në një sipërfaqe prej 650 hektarë të një qyteze me qëllime multifunksionale dhe projekti i dytë propozon ndërtimin e një porti jahtesh dhe krahas tij të një qyteze turistike në këtë zonë, me një sipërfaqe prej 160 hektarë. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij kërkoi respektimin e standardeve në ndërtim dhe ruajtjen e zhvillimin e mjedisit në zonat turistike. “Ne kemi rreth 90 për qind të bregut të pazhvilluar. Kjo do të thotë se nuk duhet të jemi asnjëherë lakmitarë për shfrytëzim intensiv. Ne duhet t’u mbetemi standardeve më të mira të shfrytëzimit, të ruajtjes së mjedisit, të hapësirave dhe të lartësive të ndërtimeve”, - tha ai.

Këto dy projekte janë edhe projektet e para ku AIDA do të punojë në funksion të misionit të saj për të qenë pika qendrore e kontaktit dhe shërbimeve ndaj investitorëve vendas dhe të huaj. Bordi miratoi edhe amendimin e dy akteve nënligjore dhe një projektakt të ri që lidhen me fonde grantesh që qeveria ka vënë në dispozicion të SME-ve dhe eksportuesve vendas, të cilat do të menaxhohen nga AIDA dhe synojnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionin e tyre. Nga ana e saj, drejtoresha e Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, Eneida Guria, u shpreh se një interes të madh ka nga kompanitë e huaja për të investuar në sektorë si: energjetika, turizmi, agrobiznesi dhe minierat. Sipas saj, kompanitë e interesuara për të investuar në vendin tonë janë nga vende të ndryshme europiane dhe më gjerë. Megjithëse ka pak muaj që kjo Agjenci ka nisur funksionimin, pranë zyrave të saj ka mjaft interes për bazën ligjore dhe mundësitë e investimit në Shqipëri. Turizmi është shpallur një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Madje me VKM, qeveria ka vendosur që për zhvillimin e turizmit malor, do të përjashtohen për tetë vjet nga taksat investitorët që do të çelin resorte të tilla në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›