Paketa e shpëtimit të Greqisë, Europa merr frymë
Euro rritet, bursat qetësohen, Greqia merr frymë. Këto kanë qenë efektet e paketës së shpëtimit të miratuara nga samiti i BE-së për Greqinë. Me një paketë prej 109 miliardë eurosh i është përgjigjur Europa krizës së borxhit grek, që rrezikonte të shembte gjithë Eurozonën. Marrëveshja që kanë arritur udhëheqësit europiane për shpëtimin e Greqisë përmban për herë të parë edhe pjesëmarrjen e kreditoreve private dhe te bankave, qe do të japin më shumë se 37 miliardë euro. Rreth 30 miliardë te tjera do të sigurohen nga privatizimet dhe 42 miliardë nga vendet e Eurozones dhe FMN. Në mënyre specifike, sipas deklaratave që ka bërë Papandreu në konferencën e shtypit, marrëveshja dyfishon deri në 40 vjet kohën e shlyerjes së borxhit, jep mundësi të riblerjes së bonove greke nga tregu sekondar përmes mekanizmit të përkohshëm të ndihmës EFSF. Samiti i Brukselit ka qenë tema qendrore në media ku veçohen titujt si “shpëtohet jeta e Greqisë dhe Euros” dhe “një plan i ri Mareshal për Greqinë”. Lehtësimi është ndjerë dhe në Itali dhe qytetarët italianë thonë se vendi ka nevojë për reforma shumë të thella, duke shtuar se vendi duhet të ndryshojë mënyrën e vet të funksionimit për të parandaluar paqëndrueshmërinë e tregjeve. Në Romë shumica e qytetarëve thonë se Italia ende nuk e ka kaluar pjesën më të vështirë të krizës dhe se ka ende sakrifica për të bërë. Qytetarët janë të lodhur më shumë me mënyrën e funksionimit të politikës. Shumica e mediave italiane u hapën me temën e krizës greke, por në faqe të parë shumë vend ka zënë edhe historia e paqëndrueshmërisë në rritje e qeverisë aktuale dhe paaftësisë së saj për të realizuar reforma. Reagim pozitiv erdhi edhe nga rajoni i Azisë. Analistët theksuan faktin që mbledhja prodhoi më shumë zhvillime nga pritshmëria e tregut. Në koment të përfundimeve të Samitit ministri japonez i financave, Yoshihiko Noda, shprehu besimin se plani i ri i ndihmës do të stabilizojë monedhën e përbashkët dhe premtoi se Japonia është e përgatitur të blejë bonot e instrumentit të Përkohshëm të Stabilitetit financiar Europian. Por në koment të vendimit të udhëheqësve evropianë, Barclays Capital tha se paketa ende nuk ka zgjidhur çështje të rëndësishme, si zonat ku do përfshihet sektori privat dhe përmasat e propozuara të fondit europian të ndihmës financiare.