E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Durrësit, 27 punonjës sezonalë në shërbim të udhëtarëve

Udhëtarët që shfrytëzojnë tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt Italisë dhe anasjelltas, që prej disa ditësh kanë në dispozicion edhe ndihmën e 27 punonjësve me moshë të re, të punësuar për një periudhë 2-mujore nga Autoriteti Portual. Gjatë këtyre dy muajve numri i udhëtarëve 3-4 fishohet në krahasim me ditët e zakonshme dhe punonjësit sezonalë do t’u shërbejnë udhëtarëve të shumtë për t’i orientuar ata dhe për t’iu përgjigjur kërkesave apo nevojave të tyre në hapësirën portuale. Çdo ditë në terminal ankorohen 6-9 tragete dhe në fundjavë numri i udhëtarëve arrin deri në 10 mijë vetë. Punonjësit, të ndarë në dy grupe për secilin turn do t’u shërbejnë udhëtarëve që mbërrijnë me automjete ose në këmbë, duke u dhënë informacione të nevojshme edhe për lëvizjen në qytet apo jashtë tij. Gjatë periudhës korrik-gusht të vitit 2010 përmes portit detar lëvizën afro 330 mijë persona. Autoriteti Portual i Durrësit, në bashkëpunim me Doganën, Policinë e Kufirit dhe Administratën Detare, kanë marrë masa për lehtësimin e lëvizjes së udhëtarëve, të cilët janë kryesisht bashkatdhetarë me banim dhe punë në vendet e Europës Perëndimore, të cilët vijnë pranë familjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për pushimet verore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›