Punishtet mediatike të Ramës nisin prodhimin e alibisë së humbjes

Dje u regjistrua një rast flagrant se si makineria opozitare e shpifjes po përpiqet t’i njollosë zgjedhjet e 8 majit paradhënie. Një agjenci informative që shitet si rajonale e që hiqet se bën gazetari investigative, publikoi dje një korrespondencë nga Tirana, ku denoncohej presioni që disa ambasadorë të huaj po u bëkan disa prej vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it. Në shkrim ambasadorët nuk identifikoheshin e gjithashtu zyrtari që mendohej se ishte vënë nën presion ishte anonim. I vetmi burim i shkrimit, ishte reagimi i zëdhënësit të misionit të ODIHR-it, i cili deklaroi në mënyrë zyrtare se s’kishte kurrfarë presioni gjatë punës së tyre e se deri më tani s’kishin pasur shqetësime të kësaj natyre. Shkelja flagrante e parimeve të gazetarisë, teksa inskenohet një presion që s’provohet, u mor shpejt e shpejt nga të gjithë mediat televizive pranë Edi Ramës, duke amplifikuar rrezikun se ODIHR-i po e humbte pavarësinë. Synimi është i thjeshtë: duke delegjitimuar arbitrin e zgjedhjeve të 8 majit, shmanget çfarëdolloj llogaridhënieje për humbjen, pasi ajo nuk do të njihet, për shkak se standardet nuk pëlqehen e arbitri s’ka qenë i paanshëm. Analiza e agjencisë “balkan insight” demaskohet si establishment posttitist e pansllavist për nga historiku i “investigimeve” të saj për çështje shqiptare, por mjaft të kujtosh se nga 5 temat qendrore të javës në newsletter-in e kësaj agjencie, tre prej tyre janë shumë kuptimplote: “Kriza politike në Shqipëri”, “trafiku i organeve në Kosovë” dhe “Turqia në Ballkan”. Detajimi i këtyre topik-ëve të çon tek qëndrimet e agjencisë, të cilat thonë se kriza politike në Shqipëri s’mund të tejkalohet pa ndryshime politike, se në Kosovë ishte ulur pazari i shitjes së organeve dhe se të gjitha të këqijat në këto dy vende, vijnë për shkak të importimit të ndikimeve otomane prej Turqisë. Prej kësaj pansllavizme të qartë, vjen shpifja se ODIHR-i po vihet nën presion. Vini re se korrespondenca vjen nga Tirana, prej një gazetari të angazhuar që shkrimin e vet s’është çudi ta ketë radhitur tek kompjuterat e Shekullit, para sesa ta editonte si “investigim” të BalkanInsight, prej nga roli më tej do t’i takonte Top Channel-it. Prej kësaj vënieje në skenë, mbetet veç qëndrimi zyrtar i ODIHR-it se ndaj tij s’ka kurrfarë presioni, por edhe interesimi i mediave të Edi Ramës, që si punishte propagande që janë kthyer, s’po kanë durim derisa ta përfundojnë prodhimin e alibisë se humbja e 8 majit s’quhet, pasi arbitri s’ka mundur të jetë i paanshëm. Kjo pansllavizmë në mes të Tiranës s’ka fort lidhje me zgjedhjet e 8 majit, por me fatin personal të Edi Ramës. Ai e ka urgjencën, prandaj edhe detyrohet t’i kapërcejë do kufij që normalisht edhe mund të mos kapërceheshin, si përgojimi flagrant i pjesëtarëve të Trupit Diplomatik në Tiranë. Pas spekulimit të BalkanInsight, në mejhanet politike të punishteve mediatike të Edvinit ka nisur edhe hartimi i skedinave se cili është fatziu odihr-ist që po shantazhohet e cilët janë “sherifat” diplomatikë që po i punojnë qindin. Edhe institucioni i mejhanes mediatike s’ka shumë kohë me këtë hajgare, sepse 8 maji po afron. Prandaj, në këtë të mërkurë sportive, unë jam gati të vë bast se s’do kalojnë pak ditë, e nga e njëjta agjenci e nga të njëjtët receptorë mediatikë të Tiranës, shpifja do të përshkallëzohet, për të mbërritur tek përmendja e disa ambasadorëve e ndërkombëtarëve që “duket sheshit se s’e kanë me sy të mirë Edi Ramën, prandaj po e lënë të gremiset”. Ka për të qenë “perpetuum mobile”-ja mediatike, kur nga hiçi e nga dëshpërimi, do të prodhohet alibia e mospranimit të zgjedhjeve të 8 majit.
...