“Agjentët 007”, policët e Qafë-Botës: S’hynë nga ne
SARANDE – Prokuroria e Sarandës do të kërkojë burg pa afat për dy djemtë e arrestuar si “Agjentët 007”. Ditën e djeshme janë marrë në pyetje sërish dy të rinjtë, Erand Lika dhe Mikel Xheta, nga Shupenza e Dibrës, të cilët u depërtuan nga Greqia si klandestinë mesditën e së hënës. Burime konfidenciale thanë se Prokuroria e Sarandës, pas marrjes në pyetje të dy të rinjve, nuk ka qenë e bindur se në rastin konkret kemi të bëjmë me agjentë të mirëfilltë, duke argumentuar se agjenturat janë në varësi shtetërore dhe se nuk ka shoqata që të kenë në varësi agjentura sekrete, siç kanë dëshmuar të rinjtë nga Shupenza. Gjatë ditës së djeshme kanë dëshmuar edhe shtatë policë, efektivë të policisë kufitare, të cilët nuk kanë pranuar që dy agjentët të kenë kaluar nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës, ndërsa mendohet se mund të kenë kaluar nëpërmjet kufirit të gjelbër. Të rinjtë nga Shupenza gjatë marrjes në pyetje mësohet të kenë këmbëngulur se “janë realisht agjentë sekret dhe se do të luftojnë terrorizmin dhe se mund të bëhen edhe kamikazë, siç vepron Al Kaeda”. Ata do të dalin sot para trupit gjykues për të mësuar masën e sigurisë. sh.d