E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Mediu: Gati ligji i ri për mjedisin, me standarde evropiane



Brenda një kohe të shkurtër, Shqipëria do të këtë një ligj të ri për mbrojtjen e mjedisit. Ka nisur tashmë diskutimi i draftit nga të gjithë grupet e interesit. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë një tryeze të rrumbullakët, me specialistë të mjedisit, autoritete të pushtetit vendor, tha se për ligjin e ri duhen gjetur dhe mekanizmat e duhur të vënies në zbatim. “Jo shumë persona në shoqërinë shqiptare dhe vendimmarrjen shqiptare kanë të qartë që ne do të paguajmë një kosto të konsiderueshme për të arritur një standard mjedisor të pranueshëm, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Gjykimi im si ministër i Mjedisit, besoj dhe i gjithë Qeverisë është që sa më shpejt ne të fillojmë të implementojmë politika sipas standardeve europiane, aq më e vogël do të jetë kjo kosto”, tha Fatmir Mediu. Një hallkë tepër e rëndësishme, për zbatimin e ligjit, do të jetë agjencia Kombëtare e Mjedisit, e cila me ndryshimet e pritshme do të ketë më shumë kompetenca edhe në licencimin e subjekteve. “Nuk mund të ngelet një agjenci mjedisi e nivelit të tretë, kur të gjithë ne e konsiderojmë çështjen mjedisore si një çështje prioritare dhe kjo agjenci mjedisi do të ketë të drejtën për të gjykuar dhe vlerësuar si në proceset e vlerësimit të ndikimit ne mjedis, por po ashtu dhe çështje që kanë të bëjnë me licencimin për çështje mjedisore”, tha Mediu. Drafti i ri, sipas ministrit Mediu, i përgatitur nga specialistë të mjedisit, është i hartuar sipas parametrave që kanë dhe ligjet e mjedisit në vendet e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›