PS: Topalli na denigroi në Qipro
Aristir Lumezi
Grupi parlamentar socialist në mble-dhjen e djeshme ka vendosur të shprehet kundër votimit të hapur të dekreteve të presidentit për gjy-katat. Mbledhja e djeshme u drejtua nga kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi ndërsa Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm. Por deputetët socialistë kanë shprehur një qëndrim indinjate ndaj veprimeve të kryeparlamentares Topalli përballë opozitës. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, nisur nga kontaktet me ndërkombëtarët, ka përcjellë në grup reagimet e parlamentarëve europianë të mbledhur në Qipro, ku nga Shqipëria ka munguar opozita, ndërsa në fjalën e zonjës Topalli opozita është denigruar dhe sulmuar ashpër si bllokuese e proceseve integruese të vendit. Në Qipro u zhvillua pak ditë më parë një konferencë e organizuar nga Këshilli i Europës me kryetarët e parlamenteve dhe është diskutuar rreth marrëdhënieve të maxhorancës me opozitën. Sipas sekretares socialiste, jo vetëm asnjë pjesëtar i opozitës nuk ishte prezent në këtë konferencë, por në të gjitha takimet por dhe në fjalën e saj zonja Topalli vetëm ka akuzuar opozitën. Kjo çështje pritet të jetë dhe pjesë e diskutimeve në seancën e sotme parlamentare nga socialistët, ku pritet të fokusohen dhe tek qëndrimet e njëanshme të kryetares së Parlamentit ndaj deputetëve të opozitës, dënimeve të njëanshme që jepen ndaj tyre për thyerjet më të vogla të rregullores, ndërsa një gjë e tillë nuk bëhet për deputetët e maxhorancës. Disa herë në mënyrë të përsëritur grupi parlamentar socialist ka kërkuar votëbesim ndaj kryetares së Parlamentit, duke e cilësuar atë të njëanshme në drejtimin e Kuvendit, nisur që nga ndalesa e pagave dhe dietave të tyre e deri në hapësirat parlamentare ndaj tyre. Por mungesa e votave në Kuvend dhe kompaktësia e votave të maxhorancës, i kanë tërhequr socialistët nga kjo procedurë duke i lënë atyre vetëm mundësinë e fjalës dhe kritikave gjatë seancave parlamentare.
Rregullorja
Socialistët ashtu siç janë shprehur dhe në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, nuk i pranojnë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, dhe do votojnë kundër saj, duke i cilësuar ato si kontroll ndaj votës së deputetëve. Ndryshimet e rregullores së Kuvendit që do të votohen në seancën e sotme parlamentare, morën pjesën më të madhe të kohës në mbledhjen e djeshme të grupit socialist. Deputetët socialistë thonë se dëmtohet rëndë privatësia e votës së deputetit në faktin që parashikohet votim i hapur dhe jo i fshehtë kur bëhet fjalë për dekretet që vijnë nga presidenti Bamir Topi. Socialistët argumentuan se kjo synon kontrollin e plotë mbi të gjithë deputetët, kryesisht ata të maxhorancës. Ndryshimi i shpeshtë i rregullores së Kuvendit sipas deputetëve socialistë është konsideruar si dëmtim i rëndë i parlamentarizmit. Sipas tyre, vetëm në 10 muajt e fundit rregullorja ka ndryshuar 2 herë, ndërsa që nga hartimi i saj para 12 vjetësh, ajo është ndryshuar shumë më pak. Sipas tyre këto ndryshime janë nxitur dhe miratuar vetëm për interesa të maxhorancës në pushtet, ndërsa cenojnë ato të drejta që kanë qenë në thelb të veprimtarisë parlamentare. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme, deputetët socialistë janë shprehur edhe kundër dëgjesave disa ditore për kandidatët për gjykatës, duke e cilësuar këtë një cenim të pavarësisë së tre pushteteve. Një numër i madh deputetësh kanë shënuar emrin e tyre për të diskutuar në seancën e sotme të Parlamentit rreth rregullores. Plot 25 diskutantë socialistë do të argumentojnë qëllimin e vërtetë të maxhorancës ndaj ndryshimit të rregullores dhe votimit nominativ të dekreteve të presidentit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndërsa kriza politike dhe mungesa e një zgjidhje të saj do të jenë tema e diskutimeve në 60 minutëshin e parë të seancës së sotme parlamentare.