E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi takon Sejdiun e Thaçin: Komonuellth ekonomik shqiptar



PDU propozon një treg të përbashkët mes trojeve shqiptare duke e pagëzuar si Komonuellthi ekonomik shqiptar. Këtë ide kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi e paraqiti dje në Kosovë ku u takua me krerët më të lartë të shtetit, Drejtuesit e PDU-së në takimin me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, vunë theksin tek krijimi i tregut të përbashkët. “Duke qenë ekonomist në profesion, jam i bindur se një treg i përbashkët dhe i konsoliduar është në të mirën e mbarë rajonit dhe jo vetëm të shqiptarëve”, tha Idrizi, duke shtuar se “në projektet e mëdha që dy vendet tona kanë, duhet të merren parasysh nevojat e përbashkëta dhe duhet t’i bëjmë konkurruese ekonomitë tona.” Kreu i PDU-së, Idrizi, i bëri me dije Presidentit Sejdiu pikat kryesore ku bazohet programi dhe ekzistenca e PDU-së. “çështja çame është në bazën e programit tonë. Ne, si deputetët e parë çamë në Kuvendin e Shqipërisë, e kemi parë si përgjegjësi morale themelimin e kësaj partie”, tha Idrizi. Unifikimi i gjuhës shqipe ishte një tjetër pikë ku ndaluan bashkëfolësit, duke theksuar nevojën për të ndihmuar emigrantët shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë e nga e kanë origjinën që të mund të ruajnë dhe të zhvillojnë gjuhën e tyre amtare. Nga ana e tij Presidenti Sejdiu përgëzoi PDU-në për punën e bërë deri tani dhe nxiti për një punë të vazhdueshme konstruktive në pikat programore të kësaj partie. Por në Prishtinë delegacioni i PDU-së u takua edhe me Kryeministrin Hashi Thaçi si dhe kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi. Idrizi i parashtroi Kryeministrit të Kosovës pikat programatike të Partisë Drejtësi dhe Unitet dhe qëllimet e kësaj force politike. “Partia Drejtësi dhe Unitet është një parti me karakter kombëtar, që tenton të sjellë në kohën e sotshme frymën kombëtare”, tha Idrizi. Nga ana e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bëri një analizë të gjatë të situatës politike dhe ekonomike në Kosovë, dy vjet pas pavarësisë së vendit. Ai sqaroi pozicionin e Qeverisë së Kosovës në prag të dhënies së opinionit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndërkohë që vlerësoi zhvillimin ekonomik në të cilin po ecën Kosova, si edhe projektet e përbashkëta me Shqipërinë, në veçanti Rrugën Durrës-Prishtinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›