Kthehej nga e fejuara, plagoset pas vjedhjes
FIER – Kthehej nga shtëpia e së fejuarës në Berat, përfundon duke vjedhur në një fshat të Fierit. Policia e Fierit ka zbardhur historinë e plagosjes së 24-vjeçarit Taulant Hysa, gjatë orëve të para të ditës së martë. Ndonëse i lënduari deklaroi se persona me armë i zunë pritë ndërsa kthehej në fshatin e tij, policia ka dyshime se ai është qëlluar nga pronari i një pike tregtimi të lëndëve të ndërtimit në fshatin Velmisht të komunës Strum në Fier. Sipas familjes së shtetasit Ajet Xhafa, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00. Nipi i pronarit Xhafa tregon se xhaxhai i tij kishte konstatuar prej ditësh, që në oborrin ku mbante lëndët e ndërtimit ishin vjedhur një pjesë e tyre, si rrjeta teli apo tubo hidraulike për ujin e pijshëm. Në këto kushte pronari i tyre, pasi ka dyshuar se ato ishin vjedhur, ka vendosur që të ruajë objektin ku ndodheshin materialet. “Për rreth katër ditë, ai ka fjetur në ballkonin e katit të dytë. Rreth orës 02:00 të së martës, xhaxhai ka ndjerë zhurmën e një motoçiklete dhe më pas ka parë një person që ka hipur mbi gardhin me tela dhe prej oborrit ka marrë një rrjetë teli dhe e ka hedhur matanë gardhit, në rrugën kryesore të fshatit. Në këtë moment nga ballkoni ka dalë xhaxhai dhe i ka thënë që të qëndronte. Ai ka tentuar të largohej në momentin që do të hidhte rrjetën e dytë, por nuk ka qëndruar. Xhaxha Ajeti ka nxjerrë çiften, të cilën e kishte me leje dhe ka qëlluar mbi të. Edhe pas kësaj, ai nuk ka qëndruar por ka hipur në motor dhe është larguar”, pohon nipi i Ajetit. Personi i akuzuar nga familja Xhafa është Taulant Hysa, sipas tyre nga Morava e Beratit dhe dhëndër në Cukalat, kufi me fshatin Velmisht të Fierit. Pas përfundimit në spital, policia ka marrë të plagosurin në pyetje, i cili ka pohuar se e kanë qëlluar me çifte ndërsa kalonte rrugën me motor. Ai nuk e ka pranuar akuzën për vjedhje. Ndërkohë që policitë e Fierit dhe të Beratit po punojnë për të zbardhur ngjarjen. Në komisariat është shoqëruar pronari i pikës së shitjes së lëndëve të ndërtimit për sqarimin e saj, megjithëse deri tani nuk bëhet e ditur nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë. m.r