E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, dy ditë në OKB në takimin e Këshillit të Internacionales Socialiste



Kreu socialist Edi Rama do të udhëtojë të shtunën drejt Neë York-ut ku dot marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Internacionales Socialiste, i cili kësaj radhe do të mblidhet në selinë e Kombeve të Bashkuara. Burime nga selia rozë pohojnë se kryesocialisti do të shoqërohet në këtë udhëtim nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade si dhe deputeti Taulant Balla, sekretar i grupit parlamentar socialist. Takimi i radhës i Këshillit të Internacionales Socialiste do të mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Një Jork të hënën më 21 qershor dhe të martën më 22 qershor. Rendi i ditës së Këshillit do të fokusohet në çështjet kyçe dhe prioritetet e të majtës në lidhje me ekonominë globale, si dhe vazhdimin e debatit mbi Ndryshimet Klimatike përpara COP16, dhe zhvillimet e fundit në fushën e çarmatimit dhe mospërhapjes. Kreu socialist do të mundohet të shfrytëzojë këtë aktivitet të Internacionales Socialiste për të përsëritur domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri e cila mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje kompromisi politik mes palëve, e cila do të zgjidhë dhe pengesat juridike për transparencën e zgjedhjeve të shkuara. Rama do të jetë i pranishëm në darkën e punës që do të shtrohet një natë para nisjes së Këshillit të Internacionales me anëtarët e kryesisë së saj, ndërkohë që Rama mban postin e bashkëpresidentit të Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Lindore. Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Tiranë në fund të muajit Maj, ky komitet doli me një rezolutë ku i kërkonte palëve të gjenin zgjidhjen e krizës, duke cilësuar se socialistët nga ana e tyre kishin bërë hapin e parë. Komiteti theksonte thirrjen e një komisioni hetimor që ka të bëjë me materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit. “Pranojmë se ngërçi po dëmton qytetarët dhe po pengon Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave”, theksohet në rezolutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›