E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjentët amerikanë, foto kratereve në Gërdec

• TIRANE - Agjentët amerikanë të Byrosë Kundër Duhanit, Drogës, Armëve dhe Zjarrit (AFT), prej dy ditësh po kryejnë hetime në zonën e kratereve të shpërthimit në ish-repartin e tankeve në Gërdec.

Katër prej ekspertëve amerikanë të shoqëruar edhe nga grupi hetimor shqiptar dhe nga efektiva të ushtrisë dhe repartit policor RENEA, qëndruan dje në zonën e kratereve ku ndodhi shpërthimi i fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec të Vorës. Ekspertët amerikanë realizuan veprime konkrete në terrenin e katastrofës në Gërdec duke bërë skica grafike, fotografime dhe matje të fuqisë së shpërthimeve që kanë ndodhur aty. Hetuesit amerikanë janë përqendruar kryesisht në zonën e shpërthimit, ku tashmë kanë mbetur disa kratere të ngjashme me gjurmët e një vullkani. Grupi i ekspertëve amerikanë që erdhi në Tiranë të dielën për të ndihmuar Prokurorinë shqiptare mbërriti në Gërdec ditën e hënë. Që në momentet e para, amerikanët kanë filluar matjet dhe verifikimet për rrezen e veprimit të secilit shpërthim. Ata kanë matur me imtësi diametrin e kratereve të shkaktuara nga shpërthimet e mëdha, ndërsa kanë sekuestruar mostra të barutit që ishte grumbulluar në fabrikë, por edhe predha e djegore si dhe lëndë të tjera që gjendeshin aty. Një burim i Prokurorisë shqiptare tha se veprimet e agjentëve amerikanë në terren kanë për qëllim mbledhjen e sa më shumë provave e të dhënave, të cilat më pas do të analizohen në mënyrë shkencore.
Shkaku i shpërthimit
Kjo analizë mësohet se do të përcaktojë shkakun e shpërthimit, fuqinë e tij si dhe sasinë e municioneve dhe të barutit që ndodhej në fabrikë në kohën kur ndodhi shpërthimi më 15 mars. Provat e mbledhura në vendin e shpërthimeve në Gërdec do t’i nënshtrohen analizave të detajuara në laboratorë në Gjermani dhe SHBA, por disa prej tyre mund të analizohen edhe në Tiranë nga agjentët amerikanë të Byrosë AFT, e cila hetoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi ndërtesën e Pentagonit. Grupi i hetuesve amerikanë që kanë mbërritur në Gërdec, përbëhet nga specialistë në kqyrjen dhe hetimin e shkaqeve të shpërthimeve të përmasave të mëdha të shkaktuara kryesisht nga eksplozivët dhe materialet luftarake. Mes agjentëve amerikanë ndodhet edhe një specialist në fushën e kimisë së municioneve të artilerisë së rëndë, i cili do të analizojë fuqinë dhe vetitë e predhave që ndodheshin në Gërdec, barutit të tyre dhe aspekte të tjera për të përcaktuar shkakun nga çfarë mund të jetë shkaktuar shpërthimi. Në zonën ku më parë ndodhej reparti i tankeve në Gërdec, aty ku Mihal Delijorgji ngriti fabrikën e çmontimit, kanë mbetur tashmë të paktën gjashtë gropa me përmasa të mëdha, më e vogla prej tyre me diametrin e 10 metrave. Veç matjes së diametrit të këtyre gropave agjentët amerikanë kanë kryer edhe fotografimin dixhital të zonës si dhe kanë hartuar një skemë grafike se si mund të ketë qenë vendi i ngjarjes para se të ndodhte tragjedia. Duke iu referuar deklarimeve të punëtorëve, por edhe të dhënave të tjera për vendin ku ndodhej fabrika, pozicionin ku mbaheshin depozitat e barutit, predhat dhe djegoret, agjentët amerikanë tashmë kanë në duar një skemë të vendosjes së municioneve rreth fabrikës para se të ndodhte katastrofa.          da.bi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›