E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda “zbarkojnë” në Ministrinë e Mbrojtjes

• Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ndërmarrjes MEICO, dëshmuan dje para Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shitjen e fishekëve shqiptarë të prodhimit kinez te kompania amerikane AEY e tenderuar nga Departamenti i Mbrojtjes.

Trazhgim Sokolaj

Burime nga grupi hetimor i çështjes në Prokurorinë e Përgjithshme, konfirmuan dje se hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda morën në pyetje zyrtarët ushtarakë dhe civilë në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes. Mbledhja e dëshmive nga punonjësit e dikasterit të Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe ndërmarrjes MEICO është bërë pas dëshmisë së dhënë javën e kaluar në Prokurorinë e Përgjithshme nga biznesmeni shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka. Ai dëshmoi mbi abuzimet e ndërmarrjes shtetërore MEICO në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, në tregtinë që ajo ka bërë për shitjen e fishekëve të ushtrisë shqiptare te kompania amerikane AEY e Efraim Diverolit. Pothuajse të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm që kanë pasur të bëjnë me vlerësimin e ofertës së kompanisë amerikane dhe caktimin e formaliteteve të tjera, kanë dhënë deklarime para Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjatë qëndrimit në Ministrinë e Mbrojtjes, prokurorët kanë mbledhur e sekuestruar dhjetëra shkresa e dokumente përveç deklarimeve dhe sqarimeve që kanë marrë nga zyrtarët e pyetur.
Trafiku i municioneve
Organi i akuzës ende nuk ka zyrtarizuar përfundimisht akuzën e trafikimit të municioneve, porse është duke verifikuar rreth kësaj vepre penale që dyshohet të jetë kryer nga ndërmarrja MEICO dhe ish-drejtues të saj. Tre nëndrejtorët e kësaj ndërmarrje, e vetmja e ligjëruar për import-eksportin e armëve dhe municioneve në Shqipëri, janë marrë në pyetje nga Krimet e Rënda. Ata mësohet të kenë pohuar se vendimet merreshin nga drejtori i ndërmarrjes, Ylli Pinari, kurse dokumentacioni për procedurat e ndjekura mbahej në zyrën e tij në katin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes. Pak ditë më parë në këtë zyrë Prokuroria ushtroi një kontroll hetimor, duke sekuestruar kompjuterin e Pinarit dhe kasafortën e tij. Hetuesit janë duke verifikuar mënyrën se si ndërmarrja MEICO hyri në kontakt me kompaninë amerikane AEY, si u përcaktua çmimi i fishekëve kinezë që do të shiteshin për të furnizuar ushtrinë afgane dhe çfarë ka ndodhur në momentin kur çmimi i fishekëve për një mijë copë të tillë u dyfishua pa shkak falë ndërhyrjeve të ndërmarrjes MEICO nga 22 në 40 dollarë. Dyshohet se në momentin e rritjes së çmimit i gjithë aktiviteti i ndërmarrjes MEICO ka kaluar në një linjë ilegale, pasi një gjë e tillë nuk është pasqyruar zyrtarisht dhe me dokumente në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa me paketimin e fishekëve pas “përzënies” së Kosta Trebickës ishte futur në lojë kompania shqiptare e Mihal Delijorgjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›