E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pinari u burgos nga frika e zhdukjes së dokumenteve”

• Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, i burgosur për tragjedinë e Gërdecit do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Fatos Mahmutaj

Prokuroria tha se ai është arrestuar në mënyrë që të mos zhdukte dokumentet që janë sekuestruar tashmë si prova materiale. Gjykata e Apelit e kryeqytetit miratoi pa i ndryshuar asgjë vendimit të 20 marsit të Gjykatës së Tiranës, ku caktohej masa e sigurisë “burg pa afat” për Pinarin. Në vendim gjykata mori parasysh pretendimin e Prokurorisë, se Pinari paraqiste rrezikshmëri shoqërore dhe ekzistonte mundësia që ai të zhdukte provat, kryesisht ato shkresore. Vetë i pandehuri i paraburgosur në një nga burgjet e kryeqytetit, nuk u paraqit në proces, duke ngarkuar dy avokatët e tij mbrojtës ta përfaqësonin në seancën që u zhvillua në orën 10:00 të paradites së djeshme. Avokati Ardian Leka pohoi se Pinari nuk ishte thirrur prej Prokurorisë për të dhënë deklarime për ngjarjen, por ai ishte paraqitur vetë në organin e akuzës, ndërsa kishte ardhur nga jashtë shtetit ku ndodhej më 15 mars, ditën e tragjedisë së Gërdecit. Sipas mbrojtësit, Prokuroria e kishte marrë masën e ndalimit gjatë kohës që Pinari po merrej në pyetje, duke u nisur nga vizat që ai kishte në pasaportë dhe disponimit nga ana e tij të një “Green–Card”-e.
Kërkesa
Mbrojtësi Leka tha se klientit të tij duhet t’i hiqet masa e arrestit në burg, pasi është e paligjshme dhe se nuk kemi të bëjmë me një bindje të fortë për fajësinë e tij. Avokati argumentoi më pas se ka një vendim të ministrit të Mbrojtjes që e bën klientin e tij përgjegjës vetëm për transportin e materialeve luftarake deri në Gërdec, ndërsa më pas përgjegjësia bie te personat që i marrin në dorëzim këto materiale. Kurse akuza “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” që rëndon mbi klientin e tij, sipas avokatit është e pamundur, pasi ky është një person civil dhe jo ushtarak. Ndërkohë, më tej avokati tha se klienti i tij transportonte predha dhe jo lëndë shpërthyese. Në këtë moment, ndërhyri kryesuesi i trupit gjykues, i cili e pyeti avokatin nëse predhat ishin apo jo lëndë shpërthyese, ndërsa avokati u përgjigj: “Jo”. “Po baruti a është lëndë shpërthyese?”, - e pyeti kryesuesi i seancës avokatin, dhe ky u përgjigj sërish: “Jo”. Në fund avokati Leka pohoi se klienti i tij Pinari ndodhej në burg pasi ishte e lehtë të arrestohej dhe se dikush duhet të ishte në qeli për tragjedinë e Gërdecit. Ndërsa avokati tjetër i Pinarit, Artan Zeneli, pohoi se klienti i tij ka pasur rolin e agjentit të shitjeve në procesin e demontimit të predhave luftarake. Pinari, sipas tij, përfaqësonte shtetin që kishte një mall për ta shitur, që në rastin konkret ishin municionet dhe, pasi e shiste ai nuk kishte më asnjë përgjegjësi. Pas kësaj edhe ky avokat kërkoi zbutjen e masës së sigurisë për klientin e tij.
Prokuroria
Pas mbrojtësve, të cilët ishin kërkuesit në seancën e djeshme e mori fjalën përfaqësuesja e akuzës, e cila pohoi se vendimi i Gjykatës së Tiranës ishte i saktë dhe në përputhje me dispozitën ligjore me të cilën akuzohej i pandehuri Pinari. Sipas prokurores, vepra penale që rëndon mbi Pinarin paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Ndërkohë ajo pohoi se, paralelisht me këtë Gjykata e Faktit në vendosjen e masës së sigurisë ka pasur parasysh edhe elementë të tjerë, që kanë të bëjnë me zhdukjen e provave nga ana e të pandehurit, kryesisht ato shkresore. Pasi pohoi se edhe vetë i pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore, prokurorja kërkoi miratimin e masës së sigurisë “burg pa afat” vendosur për të më datë 20 mars. Pas kësaj gjykata u tërhoq për vendimin, të cilin e shpalli disa minuta më vonë, duke vendosur të linte në fuqi atë që kishte vendosur tri javë më parë gjykata e kryeqytetit. Pas kësaj mbrojtja pohoi se do paraqiste rekurs në Gjykatën e Lartë.

Banorët pranë kraterit: S‘duam
të kthehemi, s‘kemi ku shkojmë
TIRANE – Banorët e zonës së Gërdecit, shtëpitë e të cilëve ndodhen në afërsi të zonës ku ndodhën shpërthimet tek ish-fabrika e çmontimit, ndodhen para një dileme të vërtetë. Ata pranojnë se nuk kanë asnjë dëshirë të kthehen përsëri në banesat thuajse të shkatërruara prej katastrofës, ndërsa thonë se paratë që kanë marrë në formë dëmshpërblimi nuk u mjaftojnë për të blerë apo ndërtuar shtëpi banimi diku tjetër. Ka qenë ambasadori amerikan në Tiranë, ai që tri ditë më parë deklaroi publikisht se pas verifikimeve të ekspertëve nga SHBA në zonën ku ndodhën shpërthimet, nuk këshillon kthimin e banorëve. Edhe autoritetet shqiptare të ushtrisë dhe të mjedisit pranojnë se zona ku ndodhi katastrofa e Gërdecit është e ndotur dhe e rrezikshme. Dhjetëra predha me djegore të konsideruara si të rrezikshme ndodhen në thellësi të vogël nga sipërfaqja e tokës, ku janë hedhur prej shpërthimit të ish-fabrikës së demontimit të municioneve. Uji dhe toka është e ndotur nga shpërthimi i qindra mijëra predhave mesditën e 15 marsit, si dhe nga djegia e sasive të mëdha të barutit. Në mënyrë të veçantë, e rrezikshme dhe e ndotur konsiderohet zona e banimit në distancë 1.5 km nga vendi ku ndodhën shpërthimet tek ish-fabrika, që ishte kaluar në pronësi të Mihal Delijorgjit dhe firmës në pronësi të tij “Alba Demil”. Autoritetet ushtarake dhe specialistët thanë se Ministria e Mbrojtjes duhet të propozojë një vendim qeverie, i cili të përcaktojë zonën e ndaluar për lëvizje dhe banim, një sipërfaqe diametrale të paktën një kilometër rreth zonës ku ndodhën shpërthimet e fuqishme. Në këtë diametër ndodhen një numër i konsiderueshëm banesash, që ishin ndërtuar pranë ish-repartit të tankeve vite para se aty mes banesave të ngrihej fabrika e çmontimit të predhave, i konsideruar si një objekt me veprimtari të rrezikshme.                         tr.so

Mihal Delijorgji
Biznesmeni Mihal Delijorgji, presidenti i “Alba-Demil”, pritet të paraqitet paraditen e nesërme në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit, kur është caktuar që të shqyrtohet kërkesa e tij për zbutje të masës së sigurisë. Ndaj tij, më datë 20 mars, pesë ditë pas tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Tiranës vendosi “burg pa afat” duke ngritur akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, të cilën ky e mohon.

Dritan Minxolli
Dritan Minxolli, drejtori i shoqërive të Delijorgjit, “Alba-Demil” dhe “Përparimi”, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “burg pa afat”, që ka vendosur tri javë më parë Gjykata e Tiranës për të. Minxolli, një prej të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit, pohon në kërkesën e tij se nuk është ky fajtori dhe se ndodhet në qeli duke mos ekzistuar prova në ngarkim të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›