E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjentet britanike ndahen ne dy grupe per Enver Hoxhen



Më 17 dhjetor 1943, gjeneral-brigade i SOE-s, E. M. Trocki Dejvs, raportonte në shtatmadhëri se Balli Kombëtar dhe zogistët janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët po i përdorin duke i caktuar të ruajnë rrugët kryesore si policë qytetesh dhe si udhëheqës patrullash për të hapur rrugën për patrullat gjermane, duke u dhënë atyre armë në sasi të mëdha. Ai shtonte se ndërkohë që ata kishin premtuar për të luftuar okupatorët, asnjëherë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Kam mendimin se qëndrimi i Aleatëve duhet të bëhet menjëherë publik, për t’u treguar kuislingëve, tradhtarëve dhe atyre që nuk i kundërvihen gjermanëve se ata do të marrin ndëshkimin e duhur nga Aleatët në kohën e duhur. Dejvisi rekomandonte njohjen e LNÇ si e vetmja organizatë rezistence. Bile muskëtierët ishin të detyruar të pohonin se nacionalistët bashkëpunojnë me gjermanët dhe se ne mund të jemi të detyruar të bashkëpunojmë ekskluzivisht me partizanët si forca e vetme ushtarake që ia vlen të mbështetet në vend. Tri javë më vonë, Dejvisi i shpëtoi një prite të ngritur nga një grup pronazist i Ballit Kombëtar. Një specialist shqiptar spekuloi: ”Mos ndoshta ndokush në anën e Aleatëve dëshiron të heqë qafe këtë përkrahës të LÇN?”8). Fillimi i vitit 1944, që shënon krijimin e një koalicioni nacionalist, bashkoi Mehdi Frashërin, Abaz Kupin e të tjerë si pjesë e një orvatjeje për të shtypur komunistët. Pa dyshim që pati një bashkëpunim indirekt me kolaboracionistët nacionalistë. Kupi në Tiranë ndërhyri në emër të organizatës së tij në politikën kolaboracioniste të kryeqytetit. Sipas dokumenteve gjermane, Kupi mori takimin me zyrtarët gjermanë dhe u tha atyre se ai nuk do t’i luftonte ata, bile edhe sikur të kishte një zbarkim të forcave aleate. Emisari gjerman në Tiranë konfirmoi se ekzistonte një bashkëpunim me Ballin Kombëtar, të përbërë nga ekstremistë, të cilët kanë denoncuar misionin britanik të Billi Mekleinit për dhënien bolshevikëve të një kontributi të rëndësishëm moral dhe material... Smajli dhe Emeri shiheshin si agjentë të maskuar të Internacionales së Tretë. Oficeri i SOE-s dhe aktor në ngjarjet, Entëni Kuejll (Anthony Quale) në një raport përmbledhës më 30 prill 1944, e përshkruante Ballin Kombëtar si një aglomerim i padisiplinuar individësh që i bashkon vetëm urrejtja për Komunizmin 9). Një raport i gushtit 1944, i përpiluar nga Zyra amerikane e Shërbimeve Strategjike (OSS) mbi Shqipërinë, me titull “Kushtet politike të brendshme” pohonte se Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica dhe Mithat Frashëri janë me gjermanët... Tani janë duke u ndërmarrë masa antisemitike. Një dokument i kapur SS zbulonte se Deva ishte përgjegjës për internimin e “Çifutëve, komunistëve dhe partizanëve” në kampet e shfarosjes si dhe për inkursionet ndëshkimore nga Divizioni SS Skënderbeg. Territori i vogël malor kishte pak çifutë, kështu që të paktën ishin ata që u kapën dhe u pushkatuan, megjithëse Kristofor Simpsën shton se “jo për mungesë të përpjekjeve nga ana e organizatës së Ballit Kombëtar dhe Divizionit SS SHQIPTAR”, të cilët u implikuan në një seri spastrimesh antisemitike, që përmblidhte rreth 800 njerëz, shumica e të cilëve u internuan dhe u masakruan. LÇN e quante Devën përgjegjës për masakrën në Tiranë të 4 shkurtit 1944 dhe për mizoritë e tjera të kryera nga Gestapoja në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare 10). Entëni Kuejll përfundonte se nacionalistët djathtistë, të cilët vlerësoheshin pothuaj si kuislingë, janë duke parë me shqetësim të ardhmen se kush do t’i shpëtojë ata nga hakmarrja e partizanëve kur gjermanët do të largohen nga Shqipëria? Ngurrimi i nacionalistëve për të luftuar, shkruan Rexhinëld Hebert, në kushte historike, ishte i pafalshëm dhe ndërkohë që lufta po i afrohej fundit, nuk iu fal dhe ata korrën një shpagim të tmerrshëm. Lëvizja partizane nacional-çlirimtare, forcat kryesore i kishte në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut dhe ishte e dobët në malet e Veriut. Sidoqoftë, me vazhdimin e luftës, partizanët u shtuan në forca dhe filluan të lëvizin drejt Veriut, duke i kërcënuar nacionalistët 11). Ndërkohë, misioni CONSENSUS II, që përfshinte Mekleinin, Smajlin, Emerin dhe ata që kishin ngelur nga një mision tjetër Slenderin u kthyen më 1944-n në Shqipëri, kohë kur raporti i forcave ish-në favor të komunistëve. Sidoqoftë, muskëtierët, duke menduar për botën e pasluftës deshën që të rritnin ndihmën për antikomunistin Kupi dhe forcat zogiste, në verilindje të Tiranës. Por, gjatë verës njësitë e BK-së ishin integruar nën komandën gjermane, ndërsa Lëvizja e Legalitetit e Kupit vlerësohej nga Shtabi Britanik i Kajros jo si një faktor ushtarak. Ndonëse nuk kishte ndonjë mbështetje për kthimin e Zogut, Kupi vazhdonte të kënaqej me intrigat e tij dhe gjermanët lejuan një nga përkrahësit e tij, bajraktarin gegë nga Veriu Fiqiri Dine, të organizojë një qeveri të sponsorizuar nga gjermanët, e cila nuk pati jetë të gjatë 12). Të vetmit nacionalistë në Shqipëri që përqafuan me gjithë zemër idenë e ndërtimit të Shqipërisë së ardhshme duke luftuar gjermanët qenë vëllezërit Kryeziu, Gani, Seit dhe Hasan. Megjithatë, lëvizja “Kryeziu” u shtyp menjëherë, duke eliminuar kështu të vetmen rezistencë jokomuniste ndaj gjermanëve në Veri. Kur u bë e qartë se forcat gjermane do të evakuoheshin nga fundi i gushtit, Kupi u bashkua me gjeneral Preng Prevein dhe Fiqiri Dinen për të planifikuar një sulm ndaj gjermanëve, por forcat e tyre, në mënyrë tipike u tretën. Në ditët e fundit të fushatës, një tufë heterogjene e përbërë nga zogistë dhe ballistë, Fiqiri Dinia dhe Preng Previzi, si dhe gjashtëdhjetë trupa shqiptarësh të armatosur, u bashkuan me misionin britanik “Consensus”. Nuk është për t’u çuditur, duke njohur prejardhjen e shqiptarëve te të cilët ishin atashuar Meklein, Smajli dhe Emeri, që Hoxha dhe komunistët, në fakt e shikonin me dyshim dhe armiqësi misionin “Consensus”. Rezistenca e nacionalistëve ishte një iluzion 13). Në vjeshtën e vitit 1944, forcat gjermane po tërhiqeshin jashtë vendit dhe ishte e qartë se komunistët e kishin fituar luftën civile. Megjithatë, Emeri kishte besim se loja nuk ishte humbur: “Unë isha në Shqipëri në një moment kritik. Me një ndërhyrje të vogël britanike ose amerikane ne do të mund ta ruanim Shqipërinë në Perëndim. Kjo është në fund të fundit ajo që ne bëmë në Greqi. Forcat britanike shtypën rezistencën komuniste duke sjellë në fuqi gjeneral Zervën dhe tradicionalistët. Në Londër Uor Ofis pohonte se ishte jashtë mundësive të Britanisë të ndalonte një qeveri komuniste që do të drejtohej për ndihmë nga Jugosllavia dhe Rusia”. Për këtë ne duhet të synojmë të forcojmë që tani pozitat me partizanët, me qëllim që pas luftës të jemi në gjendje të influencojmë në qeverinë partizane. Rezultati ishte se Emeri dhe Smajli ishin të detyruar të abandononin Kupin. Më vonë ai mori rrugën e tij së bashku me Ihsan Toptanin, një tregtar i pasur shqiptar. Enver Hoxha u njohu vëllezërve Kryeziu kontributin dhe ndihmën e dhënë në krahinën e Kosovës dhe për këtë u ofroi atyre një vend në qeverinë provizore, por ata refuzuan. Seiti përfundimisht u evakuua nga Komanda e Misionit Ndërlidhës Britanik në Itali 14). Viskaunt Bill Herkant, i cili ndiqte operacionet e SOE-s që nga Bari me Forcën 399, kur u vendos në Tiranë, ku me sytë e tij pa nga afër regjimin e ri, e vlerësoi Hoxhën si një njeri me karakter tejet të rëndë: I dhjamosur, rrumbullak, njeri i vetëkënaqur me një fytyrë bardhoshe të kuqërreme. Ai flet frëngjisht mirë, por ka një sjellje të pakëndshme. Viskont Herkant e gjeti Hoxhën të rrethuar nga një amalgamë komunistësh dhe banditësh të zakonshëm. Ai i tha gazetarit amerikan Sajrës Soullsbërgër se në fund ishte vendosur të përkrahej Hoxha sepse grupimi i tij dukej më i mirë nga kjo farë e keqe. Megjithatë, nuk kaloi shumë, që e Djathta të zhvillonte teorinë e saj konspirative, ashtu siç bëri me Jugosllavinë dhe Titon. Piter Kemp e vuri çështjen e muskëtierëve në krye të librit të tij “Pa ngjyra e pa kreshtë”. Shqipëria ishte një sakrificë plotësisht e panevojshme që iu bë imperializmit sovjetik. Ishte iniciativa britanike, armët dhe paratë britanike që ushqyen rezistencën shqiptare në vitin 1943, ashtu siç ishte dhe politika britanike më 1944-n që i dorëzoi një fuqie armike nderin tonë dhe miqtë tanë 15). Rexhinëlld Hebërt e hodhi poshtë këtë si një mashtrim të pareshtur nga njerëz të cilët nuk mundën të kuptojnë çfarë kishte ndodhur: “Thelbi i çështjes qëndron në pretendimin se ishte ndihma britanike që solli udhëheqësit partizanë në pushtet në Shqipëri - nëse ndihma britanike do të shkonte në rrugë tjetër Shqipëria do të ishte sot një demokraci properëndimore”. Dhe Smajli lë të kuptohet se ishin komunistët, urithët, liberalët, majtistët dhe sentimentalët në SOE dhe në radhët e shokëve të tij, oficerëve britanikë të ndërlidhjes, që ishin fajtorë për kthimin e komunistëve shqiptarë kundër përpjekjeve më të mira të tij, ato të Bill Mekleinit dhe Xhuliën Emerit. Heërt parashikon kundërargumentin dhe bile në një mënyrë tepër ironike, se ishte Smajli ai që armatosi dhe stërviti Brigadën e parë Partizane më 1943-shin dhe ishte kjo brigadë, që udhëhoqi pushtimin e Veriut më 1943 dhe që mundi të mbijetojë nga përpjekjet e gjermanëve për ta shpartalluar atë gjatë dimrit. Smajli e përshkruan arritjen e kësaj brigade në Veri si ditën më të zezë të vitit 1944. Ishte një e vërtetë e pakëndshme që LÇN kishte mbështetjen popullore dhe se një forcë revolucionare shpërtheu në Shqipëri më 1944-n dhe kjo ishte forca kryesore që i dha fitoren e pushtetit të Enver Hoxhës. Siç pohon Hebërt, nuk ishte ndihma britanike, por dhuna dhe shkatërrimi italian dhe gjerman që sollën revolucionin në Shqipëri... Arritja katastrofale e Hitlerit, që solli komunizmin në Lindje dhe Qendër të Europës, u shtri edhe në Shqipëri 16).

8, 9 11 dhe 12. Hibbert, f. 101, 107, 139, 150 dhe 197; Bernard J.Fischer, Abaz Kupi and British Inteligenc in Albania, 1934-44
10. OSSR dhe A RAPORT l38836, Albania:Political and Internal Conditions
13, 14, 15 Hibbert, Bethell, Viscount Harcount f. 58 dhe 204-5
Në numrin e së mërkurës do të lexoni:

Si e komenton agjentura britanike ardhjen në pushtet të Hoxhës dhe spastrimet në vitin 1945

Pse u keqësuan marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin dhe kush ishin arsyet kryesore

Si u hodhën me parashuta në Shqipëri agjentët e huaj dhe pse zgjodhën pikërisht Shqipërinë

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›