E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diabeti, si duhet t’i përdorni medikamentet



Keni vite që vuani nga diabeti dhe çdo ditë ju lindin pyetje të reja rreth sëmundjes suaj? Çdo ditë përballeni me dilemat rreth ushqimeve që duhet të hani? Çfarë ndikon në ngritjen e nivelit të sheqerit? Si duhet ta kontrolloni diabetin? Specialistët e shëndetësisë kanë dhënë përgjigje për pyetjet e përditshme të pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje.
1. Si ndikojnë emocionet në ekuilibrin e diabetit?
Ekuilibri i diabetit është shumë i ndjeshëm ndaj emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Ekziston një lidhje e ngushtë funksionale ndërmjet sistemit endokrin dhe atij nervor. Qetësia shpirtërore dhe emocionale stabilizon gliceminë dhe lehtëson kontrollin e diabetit. Në të kundërt, shqetësimet, fatkeqësitë, grindjet, ankthi dhe frika, në përgjithësi pasohen nga çlirimi në gjak i adrenalinës dhe kortizoilit, hormone që bllokojnë veprimin e insulinës, duke u bërë shkak për rritjen e glicemisë. Në këtë rast mund të lindë nevoja për të rritur dozën e zakonshme të mjekimit që ju përdorni.
2. Çfarë masash të shpejta duhen marrë, kur glicemia është shumë e lartë?
Kur glicemia është shumë e lartë mund të normalizohet në këtë mënyrë: Për të kompensuar humbjen e lëngjeve duhet të shtoni sasinë e ujit. Edhe kur ndjeheni keq, ose keni të vjella, përpiquni të merrni gllënjka të shpeshta uji. Kur të vjellat zgjasin disa orë dhe bëhen të pakontrollueshme, për zëvendësimin e lëngjeve duhet të shtroheni në spital për të marrë infuzion venoz. Injektoni insulinë neutrale për të ulur nivelin e glicemisë. Matni gliceminë dhe acetonin në urinë, në intervale të rregullta. Në përputhje me rezultatet vazhdoni injektimin e insulinës neutrale.
3. Si ruhet insulina?
Megjithëse prodhuesit rekomandojnë që insulinën ta mbani në frigorifer, injektimi i insulinës së ftohtë është më i dhimbshëm. Prandaj, rekomandohet mbajtja e insulinës në temperaturë dhome. Në këtë temperaturë, ajo reziston afërsisht një muaj. Sidoqoftë, insulina duhet të mbahet larg ambienteve të ngrohta, jo mbi 25-50 gradë. Sasia rezervë duhet të mbahet në frigorifer në temperaturë 2-8 gradë. Evitoni ngritjen, sepse mund ta dëmtojë insulinën.
4. A janë më të shpeshta sëmundjet e lëkurës tek diabetikët?
Po, sëmundjet e lëkurës takohen më shpesh tek diabetikët. Një e treta e tyre, gjatë jetës kanë dëmtime të lëkurës nga diabeti. Më të shpeshta janë infeksionet nga bakteret, infeksionet mykotike dhe kruarjet. Këto lidhen me kontrollin e keq të diabetit. Infeksionet e lëkurës nga njëra anë prishin ekuilibrin e diabetit, nga ana tjetër favorizojnë infeksionin. Në këtë rast është i domosdoshëm përdorimi i antibiotikëve. Për të evituar infeksionet e lëkurës, diabeti duhet të mbahet në ekuilibër, si dhe t’i kushtohet kujdes higjienës së lëkurës. Kur ajo është e thatë, duhet të zbutet me kremra hidratantë, si dhe duhen përdorur sapunë të përshtatshëm.
5. Mund të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale diabetikët?
Falë kontrollit të glicemisë që realizohet sot, diabetikët mund t’i nënshtrohen çdo ndërhyrjeje kirurgjikale. Është e rëndësishme parapërgatitja e mirë, kujdesi gjatë anestezisë dhe monitorimi i kujdesshëm gjatë operacionit. Me këto masa çdo gjë shkon normalisht, si tek njerëzit e zakonshëm.
6. Pse shkaktohen komplikacionet kronike të diabetit?
Komplikacionet kronike përbëjnë sëmundjen e vërtetë të diabetit. Hiperglicemia e zgjatur në kohë është shkaktare e dekompensimit glukomatabolik. Sa më të dekompensuar të jeni dhe sa më gjatë në kohë, aq më i lartë është rreziku për komplikacione. Fillimisht ato mund të jenë të heshtura, por mbas disa vitesh shfaqen hapur duke dominuar sëmundjen. Komplikacionet mund të prekin organe dhe sisteme të ndryshme. Në mënyrën klasike dëmtojnë enët e mëdha të gjakut duke goditur zemrën, trurin dhe anësitë e poshtme, si dhe enët e vogla të gjakut, duke prekur sytë dhe veshkat. Ekziston gjithashtu neuropatia diabetike, që dëmton veshkat.
7. Nëse në një diabetik Tip 1, dentisti refuzon të heqë dhëmballën, sepse ka frikë nga ndonjë hemorragji apo infeksion, si duhet të veprojë?
Diabetikët duhet të sigurojnë higjienë korrekte të gojës dhe kontroll të shpeshtë te dentisti, madje më shpesh se njerëzit e tjerë, sepse hipoglicemia favorizon shumimin e baktereve në gojë, sidomos kur dhëmbët nuk lahen rregullisht. Është mirë që diabeti të jetë i ekuilibruar para mjekimit te dentisti, për të evituar rrezikun e hiperglicemisë dhe hipoglicemisë. Por kurrsesi nuk është e justifikuar frika nga hemorragjia, apo kapaciteti i ulët i anestezisë, si dhe frika nga infeksioni pas heqjes së dhëmbëve. Dhëmbët te diabetiku kurohen si te të gjithë njerëzit e tjerë.
8. Si shmanget hipoglicemia gjatë dhe mbas raportit seksual?
Aktiviteti fizik gjatë raportit seksual mund të shkaktojë rënie të sheqerit (hipoglicemi). Kjo nuk do të thotë që ju të keni frikë dhe të hiqni dorë nga jeta seksuale e qetë dhe e plotë. Për të qenë të sigurt është mirë të matni gliceminë para raportit seksual dhe të hani diçka, menjëherë mbas tij.
9. A bëjnë mirë zarzavatet e gjelbra për diabetin?
Po, veçanërisht të gjalla (të papërpunuara) duhet t’i përdorni çdo ditë, në drekë dhe darkë, në sasi të bollshme. Zarzavatet e gjelbra përmbajnë antioksidantë, vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Të gjitha perimet përmbajnë vitaminë C në përqindje të ndryshme, sipas llojit të bimëve. Njëzet e katër orë pas këputjes, ato humbin 10-15 për qind të vitaminës C. Ndërsa gjatë gatimit perimet humbin jo vetëm gjithë vitaminën C, por edhe shumicën e mineraleve. Por uji në të cilin ato janë zier përmban mikromineralet e dobishme, si kaliumi, magnezi dhe zingu, prandaj dhe mund të përdoret për të gatuar supë. Nisur nga veçoritë e mësipërme, zarzavatet e gjelbra janë shumë të dobishme për diabetikun.
10. Çfarë pune mund të bëjë diabetiku?
Kur diabetiku është i ekuilibruar mund të kryejë çdo punë, si gjithë njerëzit e shëndoshë. Megjithatë, duhen evituar aktivitete me shumë stres dhe shumë sedentare. Gjithashtu, duhen evituar punët me turne dhe punët që sjellin rrezik për veten dhe të tjerët, nga një hipoglicemi e mundshme, tek ata që trajtohen me insulinë, siç mund të jenë punë të tilla si pilot avioni, makinist treni, shofer autobusi etj.
11. Çfarë është diabeti i tipit 1 dhe 2?
Diabeti i tipit 1, më i riu, është një sëmundje auto-agresive në të cilën qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë janë shkatërruar. Ndërsa diabeti i tipit 2, është një sindromë që karakterizohet nga rezistenca e insulinës (hormoni që transformon sheqerin në energji), ose nga një prodhim i tij i zvogëluar, dhe nga alterime të ndryshme të metabolizmit, si dhjami në bark, hipertensioni, rritja e kolesterolit të keq dhe zvogëlimit të atij të mirë, tepricë e triglicerideve.
12. Kush janë ndryshimet mes diabetit të tipit 1 dhe 2?
Diabetik është kushdo që e ka gliceminë (nivelin e glukozit) të barabartë apo mbi 126 mlg për decilitër të gjakut, por që në nivelin e 110 mlg duhet të bjerë kambana e alarmit. Diabeti i tipit 1 haset në 5-10 për qind të rasteve, quhet ndryshe dhe diabeti i ri, pasi prek moshat e reja, por mund të shfaqet deri në 40-vjeç. Kjo është një sëmundje autoimune: pankreasi është i paaftë të prodhojë insulinë dhe prodhon shumë pak, dhe si pasojë rritet shumë glicemia. Mekanizmi ndoshta lidhet me antikorpet e drejtpërdrejtë kundër qelizave të pankreasit. Diabeti i tipit 2 haset më shpesh në 85-90 për qind të rasteve. Ky tip shfaqet në moshën e pjekur, zakonisht mbi 40-vjeç, por kohët e fundit është vënë re një prekje më e madhe në moshat e reja, e lidhur mbi të gjitha me obezitetin. Disa alterime metabolike dhe të sjelljes të shoqëruara me rritjen në peshë, janë shkaqe të kësaj forme të diabetit dhe obeziteti provokon alterime të mëtejshme metabolike.

Këshilla
Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën
Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara
Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë
Yndyrat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit)
Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra
Efikase janë edhe bajamet

Shenjat
Dhimbje barku
Frymëmarrje të ngadalta e të thella
Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë
Ilaçet
Tiazolidinedionet, veprimi është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës
Glinidet, ky lloj bari shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies)
Akarboza, është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak

Të rejat nga shkenca, Shtypja e gjakut dhe dhimbjet e kokës

Personat me shtypje të rritur të gjakut kanë mundësi më të vogël për të vuajtur nga migrena dhe llojet e tjera të dhimbjeve të kokës. Kjo është pohuar nga shkencëtarët norvegjez në revistën “Neurology”. Studiuesit nga Universiteti i Trondheimit kanë zbuluar se personat me presion sistolik të rritur, e kanë të zvogëluar në 40-50 për qind mundësinë për të pasur dhimbje koke ose migrenë. Ndërkohë përdorimi i barnave të cilat e ulin shtypjen e gjakut e rritin mundësin e shfaqjes së migrenës dhe dhimbjeve të tjera të kokës. Sipas shkencëtarëve, kjo shpjegohet me zvogëlimin e ndjesisë për dhimbje, e cila paraqitet për shkak të shtypjes së rritur të gjakut dhe veprimin e saj në receptorët të cilët gjenden në enët e gjakut.

Përgatiti: Jonida Tashi

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›