E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteret e Leka Zogut, ja përpjekjet për të rrëzuar Enver Hoxhen

Gazeta amerikane rrëfen jetën e familjes mbretërore në Spanjë. Ushtria që organizoi kundër regjimit dhe lidhja e tij me Reganin

Ed Zuckerman

Vijon nga numri i kaluar

Deri dimrin e kaluar, mbreti i Shqipërisë, Leka I, jetoi në vilën e tij të rrethuar në majën e kodrës, në periferinë e Madridit. Më pas, qeveria spanjolle doli kundër pranisë së arsenalit të armëve që ai kishte në koleksionin e tij, duke i kërkuar më pas që të largohet. Leka ia mbathi bashkë me armët e tij, mbretëreshën me origjinë australiane dhe kurajën e tij prej emigranti shqiptar dhe udhëtoi drejt Rodesisë, ku ai denoncoi veprimet e qeverisë spanjolle. “Le ta shohim atë”, - tha ai përmes një interviste telefonike nga zyra e tij në hotel “Monomatapa”. Ata e dinin prej shumë vitesh për armët. Po pse atëherë ishte dëbuar?
Jeta e një mbreti të pakurorëzuar
“Katër vende dhe unë preferojmë të mos ua përmendim emrin atyre, - presioni i qeverisë na zhvendosi sepse ne ia dolëm me sukses për akuzat që na u bënë”, - thotë ai. Vitin e kaluar, në një vizitë që bëra në vilën spanjolle të Lekës, unë kisha parë në një vështrim të përciptë se pretendimet e tij do të dilnin të vërteta.
Një taksi në Madrid më hodhi atje, një mëngjes rrezatues dhe të ngrohtë. Ndonëse ishte e rrethuar me kangjella me tela me gjemba sipër, unë munda të shikoja vetëm tokë të mbuluar nga pluhuri, përreth disa ndërtesave të ulëta. Te porta ishte roje një i ri shqiptar, i veshur me një palë pantallona të lodhura, ngjyrë të gjelbër, dhe me një pistoletë të varur në brez. “Ka një arsye psikologjike për këtë”, - tha Leka vetëm pak minuta më vonë, kur unë e pyeta rreth mënyrës së veshjes së rojës së tij. “Grupet e emigrantëve janë të prirë të bëjnë më shumë muhabet sesa të shërbejnë. Por, nëse ju e vendosni dikë në uniformë, ata janë më të prirë të shërbejnë sesa të bisedojnë”.
Leka, i cili është 40 vjeç, për veten e tij kishte veshje lufte, me një pistoletë dhe një shpatë të ngjeshur në brez. Në anën e majtë të kraharorit mbante një cohë me një shqiponjë dykrenore dhe sipër saj një kurorë mbretërore.
Përsa i përket gjatësisë trupore dhe epërsinë e tij, në tërësi, ai dukej impresiv teksa qëndronte ndanë tavolinës së tij të lartë, me një pirg materialesh pune. Muret e dhomës në zyrën e tij ishin të mbushura me hartat e Shqipërisë dhe fotografi me mbretin Hussein të Jordanisë, mbretin Huan Karlos të Spanjës, mbretin e ndjerë të Arabisë Saudite, Saisal dhe sigurisht, mbretin e Shqipërisë.
Ngritja dhe rënia e Zogut
Ishte Zogu, babai i ndjerë i Lekës, i cili krijoi familjen mbretërore shqiptare të tanishme. Në vitin 1912, pas rreth 500 vjet sundimi të turqve, Shqipëria u shpall e pavarur nga Perandoria Osmane. Dy vjet më vonë, Fuqitë Perëndimore vendosin një princ gjerman, të quajtur William Wied si mbretin e parë të Shqipërisë, duke u mbështetur në praktikën e zakonshme të emërimit të monarkëve jovendas që të drejtojnë monarkitë e reja. Duke i krahasuar me praktikat e kurorëzimeve të zakonshme, ato nuk kishin qenë aq të ngurta për detyrën në Shqipëri. Vendi i egër, i ndodhur si sanduiç midis Greqisë dhe vendit tjetër që më vonë mori emrin Jugosllavi, ishte më i prapambeturi në Europë dhe më tej. Ka një industri të vogël dhe është pa linja hekurudhore, por ka një mori klanesh të brendshme kundërshtare.
Mbretërimi i William-it ishte i shkurtër dhe i pasuksesshëm; ai u kthye në Gjermani pas 6 muajsh. Ndërkaq, Zogu, i cili atëherë njihej si Ahmet bej Zogu, ishte një yll që po shkëlqente në realitetin shqiptar. Trashëgimtar, me një prejardhje të gjatë bajraktarësh në Shqipërinë e Veriut, ai ishte një ushtarak dhe politikan, dhe në vitin 1922 bëhet kryeministër. Ai e shpalli veten mbret në vitin 1928. William Wied dërgoi një notë proteste për këtë. Por kjo u injorua në mënyrë të gjithanshme.
Zogu u mbijetoi disa revoltave dhe atentateve. Por ai nuk mundi që t’i rezistojë ushtrisë së Musolinit, e cila e pushtoi Shqipërinë më 7 Prill 1939. Mbretëresha Geraldinë, një ish-konteshë hungareze (dhe me një lidhje të largët me presidentin Riçard Nikson), u largua drejt Greqisë së bashku me djalin e saj 3-ditësh, princin e kurorëzuar, Leka. Thuhet se Zogu erdhi më pas me një pjesë të konsiderueshme të thesarit kombëtar. “Ky është një informacion i rremë”, - thotë Leka. “Fakti është se thesari kombëtar shqiptar nuk ka qenë kurrë kaq i madh. Dhe që kurrë nuk është shpenzuar për qeverinë në ekzil”.
Vështirësitë e mbretit në ekzil
Sidoqoftë, Leka u rropat në mënyrë të parehatshme në Egjipt, Francë, Britani dhe Spanjë. Babai i tij vdiq në vitin 1961, teksa familja ndodhej në ekzil dhe Leka u shpall mbreti nga Asambleja Kombëtare e shqiptarëve të mërguar, kur ai i kishte mbledhur nxitimthi në një hotel në Paris. Ceremonia nuk u pranua nga të gjithë, - sigurisht edhe nga pushteti komunist që kishte marrë pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore. Madje, as nga të gjithë emigrantët shqiptarë.
“Kishte një ndjesi të përhapur gjerësisht në radhën e grupeve të emigrantëve se Leka nuk mund të jetë mbret për shkak se ai nuk ishte kurorëzuar asnjëherë”, - thotë Rexhep Krasniqi i Komitetit Shqipëria e Lirë në Nju Jork. “Por, realisht, askush e pëlqente. Mua më duket se ai nuk e meriton”.
Që në moshë të re Leka nisi biznesin. “Për shkak të natyrës së punës që bëj dhe kontakteve të mia në Lindjen e Mesme, merrem me ndërmjetësimin e ndonjë kompanie që dëshiron të shesë pajisje atje. Ato vijnë dhe i shqyrtojnë këto gjëra me mua... Shumë vende të Lindjes së Mesme janë akoma monarkike dhe ato vazhdojnë akoma të respektojnë monarkitë europiane”. Si mbret i ri, Leka ka udhëtuar gjithashtu për të vizituar komunitetet e emigrantëve shqiptarë nëpër botë si dhe ka forcuar miqësinë politike. Një e tillë është me Ronald Regan, i cili në vitin 1967 u surpriza shumë kur i dha për dhuratë një elefant të vogël.
Leka në krye të formacionit ushtarak
Megjithatë, tani Leka u është rikthyer kryesisht qëllimeve të tij te një rol i ri: president i Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike. (Shqipëria Etnike përfshin pjesët e Jugosllavisë dhe Greqisë, që janë të banuara nga shqiptarët). “Unë mirëpres çdo njeri që punon për Shqipërinë, qoftë ata që e njohin ose nuk e njohin monarkun”, - thotë ai. Ai flet qartë dhe ngadalë në anglisht, me një theks të veçantë mospërfillës.
Leka nuk më tregon për madhësinë e ushtrisë së tij, e cila mbledh rreth vetes vullnetarë të rinj me emigrantë shqiptarë. Unë pashë vetëm një gjysmë duzine me trupa që shfaqeshin përreth. Por të tjerët mund të kishin qenë brenda nëpër ndërtesa. “Ne kemi qarkullime gjatë gjithë kohës”, - thotë Leka. Që prej këtu ata shkojnë në kampet e tjera ose mbështeten tek komunitetet e tjera ku ata rifillojnë jetën civile derisa ata të thirren në luftë. Ai refuzoi të thotë se ku janë të vendosura kampet e tjera.
“Ne nisëm veprimin e parë ushtarak në vitin 1975 me tri çeta që shkuan drejt Shqipërisë. Një çetë është njësi luftuese me një madhësi të papërcaktuar. Ata shkuan në Shqipëri të merrnin vesh për kushtet e popullit dhe nëse mund të organizonin një lëvizje ushtarake. Përgjigja ishte përfundimisht po. Që atëherë ne kemi kryer disa operacione. Disa janë raportuar edhe nga shtypi dhe disa jo”.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 3 qershor 1979
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “In a royal limbo”
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e nesërm do të lexoni

Përplasja e parë e Zogut me Enverin në vitin 1977

Roli i Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike. Cilët ishin bashkëpunëtorët

Tentativat e para gjatë vitit 1977 të organizuara nga pretendenti për fronin mbretëror gjatë kohës në emigrim

Shtrirja që pati lëvizja e mbretit Zog në radhët e komunistet shqiptar nëpër botë dhe mënyrë e organizimit

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›