Agjentët e SHIK fundosin Sefgjinin e Ilir Kumbaron
TIRANË- Dy agjentë të Shërbimit Informativ Kombëtar fundosin Ilir Kumbaron dhe Arben Sefgjinin, për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dëshmuan me kërkesë të prokurorisë dy agjentë të SHIK-ut, të cilët kanë zbatuar urdhrat e Sefgjinit dhe Kumbaros në shtator-tetor 1995 duke mbajtur nën vëzhgim Avdyl Loshajn e Remzi Hoxhën. Me kërkesë të prokurorit Xhevat Hana, dy dëshmitarët Qerim Caku dhe Arjan Hysolli, erdhën para gjykatës për të dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me veprimet e kryera nga vetë ata, mbi ngjarjen e rrëmbimit të Remzi Hoxhës dhe Avdyl Loshajt. I pari që doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda ishte agjenti i SHIK-ut, ende në detyrë Qerim Caku, i cili shpjegoi se tetorin e vitit 1995, me urdhër të shefit të tij, Ilir Kumbaro, ka ruajtur dhe shoqëruar për në banjë shtetasin Avdyl Loshaj, nga ku ai ka kërcyer për t’i shpëtuar torturave të policisë.
“Ka qenë fundi i muajt tetor, data nuk më kujtohet,por ora rreth 15:30 minuta, kur po mbaroja orarin e punës dhe po zbrisja shkallëve të ndërtesës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në atë kohë, kati i tretë ka qenë me zyra të SHIK-ut. Në shkallë takoj shefin Ilir Kumbaro, i cili më kërkoi që të ruaj një person që ndodhej në njërën nga dhomat e këtij kati. Më tha: ruaje sa të hajë bukë inspektori i çështjes dhe pastaj ik. I kërkova të më sjellë edhe një person tjetër pasi nuk i dija rregullat. Kumbaro më solli Arjan Hysollin, me të cilin po rrinim tek sera për të ruajtur personin që ishte brenda që nuk e dija se kush ishte. Pas pak minutave në dhomë ku ishte personi hymë me kolegun Hysolli dhe pamë që në karrige qëndronte i ulur një djalë i ri. Ai na kërkoi që ta shoqëronim për në tualet. Vendosëm që ta dërgonim, pasi po ankohej se donte të shkonte në banjë. E dërguam në fund të korridorit, ku ishin tre banja dhe ne e pritëm jashtë. Pas pak minutash dëgjojmë një zhurmë të madhe dhe tentojmë të hymë në banjë, por dera ishte mbyllur. E thyem derën dhe hymë, por ishte dritarja e banjës hapur dhe nga aty pamë poshtë që Avdyl Loshajn e kishin kapur policët e BRISK-ut”,-ka thënë para gjykatës Qerim Caku.
Ndërsa në lidhje me veprimet e kryera në çështjen e Remzi Hoxhës, dëshmitari i SHIK-ut u shpreh se “më 21 tetor 1995, me urdhër të shefit Ilir Kumbaro, inspektori Roland Dede kërkoi që bashkë me të, të shkoja për të bërë këqyrjen e makinës së Remzi Hoxhës. Shkuam në oborrin e firmës “Albatros” dhe këqyrëm makinën, por nuk mbajtëm procesverbal. Aty morëm dokumentet e makinës, portofolin e Hoxhës dhe një stekë cigare. Rrugës së kthimit shkuam në afërsi të Kodër Kamzës, ku po priste Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro me një makinë tjetër, ku i dorëzuam dokumentet e marra në makinën e Remzi Hoxhës dhe nuk di më pas çfarë ka ndodhur”,-tha dëshmitari Cuku, dëshmi këto të përforcuara edhe nga dëshmitari tjetër i ngjarjes së kërcimit nga kati i tretë të pengut Avdyl Loshaj, ish-agjenti Arjan Hysollari. Pas dëshmisë së tyre, gjykata vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore dhe të shtyjë shqyrtimin e saj për dy javë, kohë kjo e mjaftueshme për të njoftuar dëshmitarët në këtë proces.
KËRKESA
Prokuroria: Masë e re për Sefgjinin e Koldashin
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkesën për ricaktimin e masave së sigurisë ndaj të pandehurve Arben Sefgjini e Avni Koldashi, të akuzuar për rrëmbimin e shoqëruar me torturë ndaj shtetasve Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ky i fundit i zhdukur që nga shtatori i 1995, kur është rrëmbyer. Sipas kërkesës së prokurorisë, pas pesë muajve të lirimit të Arben Sefgjinit e Avni Koldashit nga masa e “arrestit shtëpiak”, organi i akuzës kërkon sërish t’u caktojë dy të pandehurve masë sigurie. GJYKATA
“Na njoftoni zyrtarisht për arrestimin e Kumbaros”
Gjykata e Krimeve të Rënda, gjatë shqyrtimit të seancës së djeshme, kërkoi nga prokuroria të verifikojë dhe njoftojë zyrtarisht gjykatën për arrestimin e të pandehurit Ilir Kumbaro. “Prokuror, kemi lexuar në media se është arrestuar i pandehuri Ilir Kumbaro në Angli. Sa është i vërtetë ështëky fakt dhe nëse është e vërtetë njoftoni Interpol-Tiranën të sjellë konfirmim zyrtar për arrestimin e tij”,-tha kryesues i seancës gjyqësore, Xhelal Elezi.