Gjobiste biznese, pranga tatimorit të rremë
TIRANË- Prezantohej si punonjës i Tatim -Taksave nëpër dyqane, arrestohet 38-vjeçari. Ilir Ceka nga Durrësi është arrestuar ditën e djeshme nga specialistët e antikrimi ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës, pasi akuzohet për veprat penale të “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se ndaj 38-vjeçarit Ceka kanë kryer denoncim dy qytetarë nga Tirana, pronarë të një subjekti privat ushqimor. Sipas deklaratës së këtyre të fundit, durrsaku është paraqitur në dyqanin e tyre dhe iu është prezantuar si punonjës i Tatim Taksave. Gjatë kontrollit në dyqan, Ceka u ka thënë pronarëve se ka konstatuar disa shkelje të tyre ndaj dhe do t’u vinte gjobë. Por për të evituar gjobën që sipas “punonjësit” të Tatim Taksave ishte e konsiderueshme, ata duhet ti jepnin atij shumën prej 15 000 lekësh, gjë e cila është pranuar prej pronarëve. Pasi janë konsultuar me dyqane të tjera të cilët nuk kanë pasur kontrolle, por edhe nga dyshime të tjera, S.K, dhe A.S, diktuan mashtrimin e 38-vjeçarit. Menjëherë ata denoncuan rastin në polici duke dhënë edhe detajet e personit që prezantohej si punonjës i tatim taksave. Pas hetimeve specialistët e antikrimi ekonomik-financiar mundën të identifikonin dhe të arrestonin autorin e dyshuar Ilir Ceka. Burime policore thanë se në momentin e kapjes atij ju gjet dhe iu sekuestrua një dokument identifikimi në emër të tij, lëshuar nga Dega e Tatim Taksave Durrës si dhe dosje me formularë A-4, ku dy prej formularëve ishin të plotësuar pjesërisht.