Rexhina, prokuroria i fal 14 vjet burg të penduarit
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda i fal 14 vjet burg bashkëpunëtorit të drejtësisë në çështjen “Rexhina”, Erlind Taullaj. Në konkulzionet e saj përfundimtare, Prokuroria kërkoi që gjykata të dënojë me 4 vjet burg të penduarin Erlind Taullaj. “Taullaj ka ndihmuar në zbardhjen e nëntë vjedhjeve të makinave luksoze në kryeqytet, ndaj dhe duhet të favorizohet”, -është shprehur Nezha, prokurori i çështjes. Pas 15 seancave, trupi gjykues i çështjes “Rexhina”, me në krye gjyqtarin Bardhyl Dhamo ka marrë vendimin për dënimin e katër nga gjashtë të pandehurve të kësaj çështjeje. Sipas Prokurorit Nezha, të pandehurit kanë kryer vjedhje në bashkëpunim edhe në tentativë. “Ata janë përfshirë në vjedhje me dhunë të 9 makinave luksoze në kryeqytet, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ku përveç vjedhjes së makinave, kanë përfituar edhe sende materiale me vlerë nën kërcënimin e armëve”,- është shprehur Nezha. Prokurori ka cilësuar si ideatorë dhe organizatorë të kësaj lëvizjeje Edmond Nezën, i cili ka marrë pjesë në 7 vjedhje me dhunë, duke kërkuar dënimin për të me 19 vjet burg, ndërsa për të pandehurit e tjerë ka kërkuar dënime më të ulëta. Në seancën e fundit, katër nga gjashtë të pandehurit i kanë kërkuar togave të zeza gjykim të shkurtuar, ndaj dhe ato vendosën të veçojnë çështjen për dy të pandehurit në mungesë, Bujar Sefa dhe Bledar Hasimja.
VENDIMET
Edmond Neza, 12 vjet burg
Gentian Neza, 12 vjet burg
Dritan Hamiti, 2 vjet e 4 muaj burg dhe 9 milionë lekë gjobë
Erlind Taullaj, 4 vjet burg