E Diel, 1 Nëntor 2026

Granatat për pronësinë, autori u maskua si bojaxhi

Elton Blendi pranon autorësinë e hedhjes së dy granatave në firmën e ndërtimit: Isha i dehur dhe i mërzitur me firmën

TIRANË- “Po, unë i hodha granatat. Isha i dehur dhe i mërzitur me firmën e ndërtimit, ndaj i hodha granatat”. Para oficerëve të policisë, Elton Bendi ka pranuar autorësinë e ngjarjes që ndodhi dy ditë më parë pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë, kur shpërthyen dy granata pranë derës së zyrës së një firme ndërtimi. Vetëm një orë pas ngjarjes, policia identifikoi dhe mundi të kapte autorin e dyshuar të ngjarjes, 32-vjeçarin Elton Bendi, i cili pranoi se i kishte hedhur ai granatat. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se oficerët e policisë kriminale siguruan prova të cilat akuzonin Bendin si autorin e dyshuar kryesor të ngjarjes, megjithatë ka qenë edhe deklarata e tij e cila i dha fund dyshimeve të policisë.

Dëshmia

Pas shpërthimit të dy granatave në ambientet e jashtme të kësajfirme ndërtimi, zyrat e së cilës ndodhen në katin e dytë të një pallati gjashtëkatësh në Tiranë, policia shoqëroi Elton Bendin si të dyshuar kryesor të ngjarjes. Burime nga policia thanë se hetimet e para zbuluan se firma ndërtuese kishte një mosmarrëveshje me Bendin për çështje pronësie. Kështu në momentin e shoqërimit, 32-vjeçari Bendi u kontrollua nga policia ku iu gjetën në xhepin e xhaketës dy copë unaza siguruese të granatave të dorës. Ai u mor në pyetje nga grupi hetimor i formuar për këtë çështje, ku pranoi autorësinë. “Po unë e hodha granatën. Isha i dehur dhe kisha kohë në konflikt me firmën ndërtuese pasi ajo po ndërtonte në tokën time” -mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë, Bendi. Gjatë dëshmisë së tij ai ka shprehur pendesë, duke shtuar se nuk kishte për qëllim të vriste apo dëmtonte punonjësit e firmës, por vetëm t’i kërcënonte pasi nuk po merrej vesh me ta, ndaj dhe i kishte hedhur granatat në mbrëmje, pasi kishte dijeni se nuk ndodhej njeri në zyrë.

Policia

Që në momentet e para, policia mundi të sqaronte se gjithçka kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje mes Elton Bendit dhe firmës ndërtuese për çështje pronësie. Firma po ndërtonte një subjekt pranë lagjes “Ali Demi” ku mësohet se prona ishte e Bendit, por të dyja palët nuk kanë rënë dakord për pazaret që kanë vendosur. Kështu Elton Bendi ka shkuar pranë ambienteve të zyrave të kësaj firme dy netë më parë që sipas dëshmitarëve ishte i veshur si bojaxhi dhe mbante një kovë në dorë, ka hedhur dy granata brenda kësaj të fundit të cilat kanë shpërthyer pak sekonda më pas. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë të cilat rrethuan vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Mësohet se nga shpërthimi pati vetëm dëmtime të derës hyrëse të zyrës së kësaj firme, si dhe sende e disa orendi në ambientet e saj. Pas hetimeve, policia mundi të identifikonte dhe kapte autorin e dyshuar të ngjarjes i cili është Elton Bendi. Ndaj tij u mor masa e arrestit për veprat penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “kanosjes” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të municioneve luftarake”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›