E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Procedim penal 12 gjyqtarëve

Këshilli i Lartë i Drejtësisë premton se procedimet do mbyllen brenda këtij viti

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë brenda këtij viti do të marrë në shqyrtim kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor të 12 gjyqtarëve. Sipas burimeve zyrtare pranë KLD-së mësohet se ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka depozituar pranë KLD-së12 kërkesa për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, të cilët kanë dalë me shkelje të rënda gjatë kontrollit të punës së tyre nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe ai i KLD-së. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë garanton zhvillimin e proceseve të rregullta dhe transparente në procedimet në vazhdimësi, lidhur me 12 gjyqtarë konkretisht pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore Mat, Sarandë, Tiranë, Elbasan si edhe të Gjykatave së Apelit Tiranë, Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak, për të cilët, janë depozituar kërkesat për procedim pranë këtij Këshilli”,-thuhet nga burimet zyrtare të KLD-së. Mësohet se në mesin e gjyqtarëve që do të procedohen për masa disiplinore janë edhe tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Ushtarak të kryeqytetit, Shaqir Gradica, Ylli Minka, Naum Pejo, të cilët e deklaruan të pafajshëm një nga të arrestuarit të tragjedisë së Gërdecit, presidentin e kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji, i cili u dënua për evazion fiskal nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërkohë, për gjyqtarët që do “gjykohen” në mbledhjen e radhës së KLD-së që do të mbahet në Dibër, ministri do të relatojë për masë disiplinore për të gjyqtaren e shkarkuar, Mirela Mishgjoni e cila prej vitesh “lufton” me KLD-në për rikthimin në punë.

GJYQTARËT E PROCEDUAR

Mirela Mishgjoni, ish-gjyqtare në Vlorë

Murat Basha, gjyqtar në Gjykatën Mat

Rasim Doda, ish-kryetar i Gjykatës Sarandë

Nevrije Halo, gjyqtare e Sarandës

Enkelejda Kashuri, gjyqtare e Sarandës

Taulant Tafa gjyqtar në Elbasan

Gjin Gjoni, gjyqtar në Tiranë

Alaudin Malaj, ish-gjyqtar i Apeli Vlorë, tani në Tiranë

Meme Rexho, gjyqtar në Vlorë

Shaqir Gradica, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë

Ylli Minka, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë

Naum Pejo, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›