Kriza dhe rikthimi i Marksit
“Kur kapitalistët do të shkëmbejnë vetëm pará me pará, gjërat do të përfundojnë keq“ , - i shkruante Karl Marksi mikut të tij Frederik Engelsit. Ishte viti 1857. Që atëherë, ka kaluar shumë kohë, por opinionistë dhe akademikë, duket se sot bien dakord me idetë e Marksit.
Më klasiku i klasikëve, pra pikërisht Marksi, mes kritikuesve të kapitalizmit, po gëzon një rilindje të paparashikuar në Gjermani. Ai po lexohet si guidë për të kuptuar krizën financiare globale.
Shitjet e librit të tij të famshëm, “Kapitali“ janë trefishuar, ka thënë Joern Schuetrumpf-i, drejtor i një prej shtëpive botuese berlineze, më të njohura në Europë. Nga 500 kopje të shitura vitin e kaluar, vëllimi i parë i tre vëllimeve të "Kapitali"-t, këtë vit ka shitur deri tani 1500 kopje.
Edhe Gunter Grass-i, nobelisti i njohur, ndërsa prezantonte pjesën e dytë të biografisë së tij “Die Box", nuk i ka kurseyer fjalët ironike mbi politikanët dhe gazetat konservatore, që papritur kanë kaluar në kritika të ashpra ndaj liderëve të sistemit amerikan, ndërkohë që deri më tani, i kanë mbështetur ato.
“Ata nuk e kishin kritikuar Bushin asnjëherë më parë dhe, papritur, u bënë mbështetës të idesë së ndërhyrjes së shtetit", - ka thënë Grass-i.
Rikthimi i interesit për filozofinë ekonomike dhe politike të Marksit, sigurisht duhet parë me rezervë dhe pritshmëri, por fjalët e tij, 150 vjet më parë, janë mbresëlënëse dhe unë besoj se shumë ide të tij, do të rikthehen si alternativa në ekonomi. Fundja, a ka gjë më "socialiste" se ndërhyrja e shtetit me fonde, në një sistem privat si sistemi bankar?