E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjenti i Lampard takohet me drejtuesit e Juventusit

Juventusi ka hyrë zyrtarisht në garë për mesfushorin e Celsit, Frenk Lampard. Vizitorë specialë në Londër kanë qenë dje drejtuesit italianë, Alesio Seko dhe Roberto Betega. Dyshja bardhezi ka zhvilluar një takim tre orësh në restorant Scalini me agjentin e Lampard, Stiv Katner. Ky i fundit ka pranuar bisedën me juventinët, por ka mohuar faktin se në tavolinë është folur për të ardhmen e lojtarit të tij. "Roberto dhe unë jemi miq të vjetër që nga koha kur Pol Ins dëshironte të firmoste për Juven pëpara se të kalonte te Interi. Ai ishte i pranishëm në Londër në kuadër të një seri takimesh që po organizohen nga klubet e Premiership lidhur me transferimet e futbollistëve. Ka qenë vetëm kjo axhenda e tij në Angli", tha Katner për tabloidin anglez "The Sun". Juventusi ka kërkuar shërbimet e Lampard edhe para tre viteve duke i ofruar londinezëve edhe sulmuesin francez, David Trezege si pjesë të marrëveshjes. Ndërkohë shefi ekzekutiv i "Bluve", Piter Kenion tha: "Mbajtja e Lampard në skuadër është vendimtare për ne. Si mund ta zëvendësojmë këtë lojtar? Nuk është e sigurt nëse ai do të prishë kontratën pasi rregullat janë të paqarta. Si klubet dhe lojtarët duhet ta dinë vërtetë se ku janë". Por Lampard nuk është i vetmi anglez që kërkohet me ngulm nga "Zonja e vjetër". Seko ka thënë se edhe kapiteni i Liverpulit, Stivën Zherard është në planet e tyre. "Po, Zherard është një ëndërr për ne. Ai është një fenomen, por dyshoj. Liverpuli mund të jetë i cmendur nëse e shet atë", deklaroi shefi i klubit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›