Barcelona, stacioni i ardhshëm për Roben

Ditët e holandezit Arjen Roben te Celsi janë të numëruara. Nuk është një spekullim mediatik i radhës nga tabloidët anglezë, por janë fjalët e babait dhe menaxherit të Roben, Hans i cili ka deklaruar se djali i tij do të pëlqente të luante për Barcelonën. "Për Roben do të ishte një ëndërr që të vishte fanellën e spanjollëve. Por momentalisht ai ka një kontratë me Celsin dhe mesa di unë nuk është bërë asnjë tentativë për të lëvizur. Për ne nuk do të kishte asnjë problem që ai të zgjidhte Barcelonën sepse e ka ëndërruar kur ishte i ri në moshë. Kur të vijë dita që do të lërë Celsin, skuadra numër një për Arjen do të jetë Barcelona", tha babai i mesfushorit. Megjithëse Roben ka shprehur dëshirën për një aventurë të re në Primera Divizion, londinezët nuk kanë mbetur mbrapa, pasi i kanë kërkuar për një rinovim të kontratës. Më tej babai i tij shtoi: "Sa kam kuptuar vetë Celsi nuk dëshiron që Roben të largohet. Ne kemi biseduar me drejtuesit e "Bluve" lidhur me të ardhmen e tij dhe më kanë thënë se nuk do të kishte arsye që Roben të largohej. Ata i kanë bërë një ofertë të re", përfundoi Hans.