E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjenti i infiltruar kap dy të rinj me 5 gr kokainë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 27-04-2011 12:04

Tiranë- Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë ditës së djeshme, pas një hetimi të kryer në bashkëpunim me Policinë e Durrësit. Të arrestuarit janë Elvis Mustafa, 28 vjeç, nga Shkozeti dhe Eni Dervishi, 25 vjeç. Policia e Tiranës disponon të dhëna se dy të ndaluarit ushtronin aktivitet të paligjshëm, si shitje dhe shpërndarje të kokainës në Tiranë. Gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale, si përgjimi i bisedave telefonike dhe blerja e simuluar, shoqëruar me raporte vëzhgimi dhe filmime. Nga përgjimet dhe raportet e shërbimit rezulton se më datën 24 janar, në një lokal te sheshi "Rilindja" në Durrës, Eni Dervishi i shoqëruar nga shtetasi e quajtur "Arjan" është takuar me agjentin nën mbulim "Edi", i cili kërkon blerjen e një sasie lënde narkotike të llojit kokaine. Nga përmbajtja e bisedës së përgjuar del qartë se Eni Dervishi merr përsipër gjetjen e lëndës narkotike nëpërmjet shokut të tij, të quajtur "Visi", dhe i identifikuar si Elvis Mustafa. Eni Dervishi fillimisht takohet me personin e infiltruar, e më pas në tavolinë me ta ulet Elvis Mustafa, i cili merr përsipër shitjen e një sasie 5 gr lënde narkotike kokainë. Pas pak bisedës midis agjentit në mbulim dhe personit të quajtur Visi, kanë shkëmbyer numrat e telefonit, kanë rënë dakord që Visi t’i shiste agjentit një sasi prej 5 gram kokainë dhe nëse malli do të ishte cilësi e mirë, agjenti në mbulim do të blinte një sasi tjetër më të madhe. Pas bisedës së bërë, agjenti në mbulim dhe personi i quajtur "Visi" janë ngritur nga lokali dhe kanë filluar të ecin në këmbë deri te Gjykata e Durrësit. Aty po i priste një automjet i tipit Peugeot 206, me targa DR .... F, me shofer një djalë i cili mbante një kapuç mbi kokë, i moshës rreth 33 vjeç. Visi i ka dhënë sasinë prej 5 gram kokainë agjentit në mbulim, ndërsa ky i fundit i ka dhënë shumën e parave prej 35 000 lekë të reja. Pas kësaj janë ndarë nga njëri-tjetri dhe e kanë lënë të takohen së shpejti për të blerë sërish lëndë narkotike kokainë. Sasia e lëndës narkotike e dyshuar kokainë është sekuestruar më pas me cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›