E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat grabisin 5 mijë euro në një filial banke

VLORË- Grabitet një filial banke në zonën e Orizit, në qytetin e Vlorës, ndërsa nga hetimet e para dyshohet se ata kanë marrë 5 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së djeshme, sipas dëshmitarëve, kanë qenë tre persona të cilët kanë dalë me shpejtësi nga banka dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Sipas informacioneve, mosha e grabitësve ka qenë 25-30 vjeç, ku dy prej tyre ishin të veshur me kostum sportiv, ngjyrë e bardhë dhe një tjetër po me kostum sportiv, por me ngjyrë të zezë. Grabitësit ishin të maskuar e të armatosur me armë të tipit pistoletë, të cilët kanë kryer grabitjen e bankës. Ata kanë hyrë në bankë dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar arkëtaret të japin paratë. Ato kanë sinjalizuar policinë dhe më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e policisë që kanë kryer ekspertizat e nevojshme, për të pikasur autorët nga kamerat e sigurisë në bankë.

Rreth 5 mijë euro mendohet të jetë shumë e grabitur në bankë, ndërsa ende nuk ka asnjë të identifikuar për ngjarjen, edhe pse policia ka shoqëruar katër persona. Ky është rasti i tretë që finalizohet një vjedhje banke, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe tentativat. Policia vijon intensivisht hetimet, ndërsa po merren në pyetje personeli i bankës, njerëzit që në atë moment kanë qenë në bankë dhe persona të bizneseve përreth saj, duke qenë se ndodhet në një zonë tejet të populluar. E.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›