Sërish incidente, thyhen zyrat e PS-së e LSI-së në Tiranë
Tiranë- Dy incidente të tjera i shtohen listës së gjatë të incidenteve elektorale, të ndodhura në Tiranë. Këtë herë bëhet fjalë për thyerjen e xhamave të dy zyrave elektorale në Njësinë 3 në kryeqytet, atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Socialiste. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Tiranë bën të ditur se në orët e para të ditës së djeshme, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë janë paraqitur për të depozituar kallëzim penal përfaqësues nga subjekti politik i LSI-së. “Ata kanë deklaruar se rreth orës 07:00 kanë konstatuar thyerjen e xhamit të derës së zyrës elektorale. Pas marrjes së këtij kallëzimi, shërbimet e hetimit dhe të parandalimit të krimit filluan procedimin penal dhe bënë të mundur këqyrjen dhe veprimet e para hetimore e proceduriale në terren” – thuhet në njoftimin e bluve të kryeqytetit. Po gjatë ditës së djeshme, një tjetër incident është regjistruar në këtë zonë, ku rreth orës 10:00, po në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, janë paraqitur për të depozituar kallëzim penal përfaqësues të Partisë Socialiste. “Përfaqësuesit e PS-së kanë deklaruar se në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, kanë konstatuar në zyrën elektorale të kandidatit për Njësinë Nr.3 Tiranë, një thyerje të xhamit të derës së kësaj zyre elektorale”, - tha zëdhënësja e policisë së Tiranës. Pas marrjes së kallëzimit, policia e Tiranës regjistroi procedimin penal për konsumim të veprës penale të “dëmtimit të pronës”, ndërsa një grup hetimor ka mbërritur në vendngjarje, ku ka kryer veprimet e para hetimore. Në një prononcim për mediat, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, tha se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë orëve të natës dhe shprehu shqetësimin, jo për dëmin material, sesa për simbolikën dhe tensionimin e situatës në këtë njësi bashkiake, ku marrëdhëniet mes forcave politike, sipas Gjonit, kanë qenë gjithmonë qytetare. “Nuk është bërë ndonjë dëm i madh, se këto xhama janë, por e keqja është simbolika e saj dhe tensionimi i situatës. Në këtë njësi bashkiake, marrëdhëniet mes forcave politike, mes meje, kandidatëve dhe përfaqësuesve të PD-së janë marrëdhënie qytetare. Ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme në këtë njësi, qoftë simpatizantët, qoftë dhe ne personalisht me njëri- tjetrin. Përkundrazi, kemi qenë shembull i një fushate qytetare të qetë“- tha deputeti Ilir Gjoni. Në fund të fjalës së tij Ilir Gjoni u bëri apel banorëve dhe forcave të rendit të tregojnë kujdes e të distancohen nga këto akte dhune, të cilat kanë shkaktuar disa vatra tensioni në Tiranë. Policia nga ana e saj deklaroi se është duke punuar me Prokurorinë e Tiranës për zbardhjen e ngjarjeve dhe identifikimin e autorëve.