E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e 50-vjeçarit, policia ndërton identikitin e ekzekutorit

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 27-04-2011 12:03

Tiranë- Policia e Tiranës ndërton identikitin e autorit të vrasjes së 50-vjeçarit Sulejman Haxhiu, pa mundur ta identifikojë atë. Dy ditë pas ekzekutimit me 6 plumba në një pikë lotoje në rrugën “Naim Frashëri” të Tiranës, një burim policor pohoi se një numër i madh personash janë shoqëruar në komisariat, duke dhënë ndihmesën e tyre mbi përshkrimin e autorit të krimit. Sipas deklarimeve është arritur të ndërtohet një identikit paraprak në lidhje me vrasësin. Mësohet se ai është i moshës rreth 30 vjeç dhe, në momentin kur ka hyrë në lokal, ka qenë i veshur me të zeza dhe me një kapuç në kokë, i cili e mbulonte deri në pjesën e syve. Kjo gjë e ka bërë më të vështirë identifikimin e autorit, i cili, sipas dëshmive të personave që ishin në lokal, pasi ka qëlluar 6 herë me pistoletë, është larguar në këmbë dhe më pas ka hipur në një automjet, që e priste pak metra më poshtë. Sipas dëshmitarëve, errësira dhe mungesa e ndriçimit në rrugë e ka vështirësuar identifikimin e automjetit të autorit dhe targë e tij. Gjithashtu, mësohet se dëshmitarët e ngjarjes janë mbajtur deri në orët e para të mëngjesit në ambientet e policisë, ku kanë shpjeguar disa herë momentin e vrasjes, edhe pse deri më tani nuk është arritur të zbulohet asnjë e dhënë konkrete që mund të çojë në identifikimin e autorit. Por nga ana tjetër, burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se janë duke punuar në shumë drejtime dhe se janë shumë afër identifikimit të autorit. Sa i përket hetimeve, në lidhje me shkaqet e vrasjes, ekspertët hetimorë i kanë hedhur sytë nga Holanda, ku 2 vjet më parë është vrarë në rrethana misterioze djali i viktimës, Artan Haxhiu. Sipas dyshimeve paraprake dhe pas marrjes në pyetje të të afërmve të viktimës, është arritur të ngrihet pista e parë e hetimit, e cila e lidh vrasjen e dy ditëve më parë me atë të ndodhur në Holandë. Burime konfidenciale nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se ka dyshime që djali i viktimës ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme në shtetin holandez. Përveç dyshimeve, ekspertët hetimorë ende nuk kanë në dorë asnjë provë konkrete, që t’i lidhë këto ngjarje mes tyre. Për këtë arsye, mësohet se ato i janë drejtuar autoriteteve holandeze për të marrë më shumë informacione në lidhje me aktivitetin e Artan Haxhiut në Holandë, në mënyrë që të gjenden të dhëna, të cilat mund t’i lidhin këto dy vrasje. Hetimet janë shtrirë dhe në konflikte të mundshme që Sulejman Haxhiu mund të ketë pasur gjatë kohëve të fundit, edhe pse një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga ana e familjarëve. Gjatë hetimeve paraprake, policia ka skeduar një konflikt të para disa ditëve, të cilit familjarët nuk i kanë dhënë rëndësi. Fqinjët e familjes Haxhiu kanë treguar se Sulejmani nuk ka qenë një njeri problematik dhe se punonte si shofer pranë një televizioni privat në kryeqytet. Sipas tyre, familja e tij ishte një nga më të respektuarat në atë zonë dhe se nuk kishin pasur asnjëherë konflikte. Ata shtojnë se e vetmja arsye e vrasjes mund të ketë lidhje me vrasjen e të birit, pasi ata nuk shohin asnjë arsye tjetër që mund të çonte në vrasjen e 50-vjeçarit Haxhiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›