Kapet nëna që braktisi në një bunker foshnjën 6-ditëshe
Pogradec- Nëna braktis beben e porsalindur, kapet në flagrancë nga policia. Historia duket rrëqethëse, teksa protagoniste e saj është bërë 32-vjeçarja V. Xhukellari, banore e lagjes 1 në Pogradec. Gruaja e re ka udhëtuar 3 kilometra larg qytetit buzë liqenit, për të “shpëtuar” nga fëmija i saj i seksit mashkull, lindur vetëm gjashtë ditë më parë, nga një lidhje dashurie me një mikun e saj, me të cilin ishte ndarë. Policia lokale ka nisur hetimet, ndërsa foshnja që për pak mund të kishte humbur jetën është strehuar përkohësisht në Shtëpinë e Lindjes në Pogradec, deri në gjetjen e një zgjidhje për të.
Ngjarja e rrallë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së martës, në fshatin Vërdovë të Pogradecit. V.Xhukellari bashkë me beben e saj, që e kishte sjellë në jetë rreth një javë më parë, e ka lënë atë në një bunker në pjesën periferike të fshatit. Por përveçse e kishte lënë të mbështjellë me një batanije, ajo i ka vënë dhe një gur të madh në pjesën e gjoksit krijesës së saj. Më pas, me hap të shpejtë gruaja është larguar, por duke mos mundur dot të ikë pa u vënë re. Një banore e fshatit ka parë skenën teksa ka kërkuar me urgjencë ndihmën e policisë lokale. Ajo i ka kërkuar gruas të kthehet të marrë fëmijën e saj, i cili në momentin që ishte lënë i vetëm në bunker, ka filluar të qajë me të madhe, si për t’i shpëtuar një fundi tragjik që ishte duke e përgatitur njeriu që e solli në jetë. Por fati i ka buzëqeshur vogëlushit 6-ditor, i cili nuk ka qëndruar vetëm pak çaste në një vend të frikshëm mes plehrave në bunker. Duke iu referuar të dhënave të policisë pogradecare, mësohet se dëshmitarja që ka parë skenën i ka kërkuar llogari gruas, pasi ka dëgjuar të qarat e fëmijës e ka marrë atë dhe i ka kërkuar 32-vjeçares ta marrë. Ajo e ka mohuar ta ketë të vetin. Më pas, ardhja e policisë në kohë ka sqaruar situatën, ndërkohë që foshnja është dërguar për një vizitë mjekësore në spital, por dhe për të qëndruar përkohësisht në Shtëpinë e Lindjes. Ndërkaq, nëna e fëmijës është shoqëruar në polici, ku ka dhënë shpjegimet e saj për aktin shumë të rëndë që ndërmori ndaj fëmijës së vet. Ajo ka treguar se fëmija ka ardhur nga lidhja e saj me të dashurin, që është ndarë pak kohë më parë, nga i cili ka dhe një fëmijë tjetër. Lidhja e tyre është e vështirë, pasi nuk ka shkuar në martesë, ndërkohë që 32-vjeçarja jeton në kushte të vështira ekonomike, në shtëpinë e prindërve të vet. Madje Xhukellari ka treguar se vëllai i saj nuk e ka pranuar këtë fëmijë, në kushtet kur ajo duhet të martohet dhe të largohet nga shtëpia. Ajo ka bërë të ditur në rrëfimin e saj në polici, se ndodhet në marrëdhënie të vështirë me vëllain, ndërsa pamundësia ekonomike e ka detyruar të shkojë drejt këtij akti. Më pas, vetë gruaja ka kërkuar që të rimerrte fëmijën e saj, por ka kërkuar ndihmë nga organet kompetente në Pogradec, për t’i gjetur një strehë që të mos jetojë me presionin dhe dhunën e vëllait, por nga ana tjetër të ketë mundësi të rrisë fëmijët e saj.