E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj-ambasadores britanike: Masat tona për 8 Majin

Tiranë- Pas takimit me ambasadorin amerikan, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka pritur në zyrën e tij edhe ambasadoren britanike Fiona Mcllëham. Roli i Policisë së Shtetit në zgjedhjet e 8 Majit ka qenë në fokus të takimit, ku është diskutuar për masat e garantimit të procesit zgjedhor dhe një dite të qetë votimi. Ambasadorja britanike Mcllëham, duke vlerësuar masat e marra dhe punën e Policisë së Shtetit deri në këtë fazë, tha: “Nga ajo që kemi konstatuar, duket që ka pasur incidente të vogla dhe e rëndësishme është që policia ka luajtur rolin e saj pozitiv për zgjidhjen e situatës. Është një gjë e mirë që policia bën punën dhe e prezanton veten si një shërbim në mbrojtje të interesave të publikut. Gjëja më e rëndësishme është krijimi i një mjedisi të qetë, që qytetarët të votojnë të qetë dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë partitë politike, që të krijojnë një klimë të qetë. Besoj që Policia e Shtetit do të ketë një rol pozitiv gjatë gjithë procesit”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë bëri një përmbledhje të punës së kryer në funksion të përmbushjes me sukses të misionit të Policisë së Shtetit në sigurimin e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.“Që në fillim të muajit prill ka përfunduar njohja e të gjitha strukturave të policisë me aktet ligjore që normojnë punën e Policisë së Shtetit në këtë proces zgjedhor. Ndërkohë, një punë shumë e mirë është bërë dhe për trajnimin e gjithë efektivave të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore, nga drejtuesit e lartë deri te punonjësit e nivelit zbatues. Janë hartuar gjithashtu listat për KQZ-në për të gjithë punonjësit e policisë që do të angazhohen për ruajtjen e qendrave të votimit, për të cilët janë përgatitur dhe dokumentet e identifikimit sipas akteve ligjore” - tha Burgaj. “Për ne, në këtë proces, gjëja më e rëndësishme është e drejta e votës së qytetarëve dhe nuk do të ketë asnjë problem, përsa i përket veprimeve të Policisë së Shtetit. Nga ana jonë janë krijuar të gjitha mundësitë, janë përcaktuar punonjësit e policisë, janë marrë masa për krijimin e dokumentit të posaçëm të identifikimit për të gjithë ata punonjës policie që do të angazhohen me detyra zgjedhore, po ashtu dhe shenjat dalluese për mjetet që do të angazhohen në këtë proces”, - tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›