E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjenti në koma, kërkohet në gjyqin e Remzi Hoxhës

 

Armand Bajrami

Gjykata për Krimet e Rënda do të informohet çdo dy muaj mbi gjendjen shëndetësore të Budjon Meçes, ish-agjent i SHIK-ut, për të vendosur hapjen e procesit gjyqësor ndaj tij për akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Një vendim i togave të zeza të kësaj gjykate, urdhëron qendrën shëndetësore ku kurohet i pandehuri Meçe, të raportojë çdo dy muaj për situatën shëndetësore fizike dhe mendore të tij. Që prej fillimit të vitit 2008 Budjon Meçe ka humbur vetëdijen dhe qëndron në gjendje kome. Gjykimi ndaj Meçes u veçua nga tre të bashkëpandehurit e tjerë në kohën që dosja “Remzi Hoxha” nisi të shqyrtohej tek Krimet e Rënda. Veçimi i dosjes u bë me arsyetimin se “i akuzuari nuk është në gjendje të marrë dijeni për nisjen e procesit”.
URDHRI
Vendimi që urdhëron qendrën shëndetësore, ku qëndron aktualisht Budjon Meçe, të raportojë sistematikisht gjendjen e të pandehurit u mor pak ditë më parë në Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas vendimit të gjykatës, qendra shëndetësore duhet të njoftojë gjykatën me një raport mjekësor mbi gjendjen e përgjithshme të Meçes. Në raport pritet të pasqyrohet në mënyrë të hollësishme situate e tij shëndetësore fizike dhe mendore. Pas depozitimit në gjykatë të këtyre raporteve mjekësore, në seanca të posaçme, togat e zeza do t’i vlerësojë ato. Referuar përmbajtjes së raporteve do të Gjykata do të qëndrojë në “korrent” me situatën shëndetësore të të pandehurit. Në momentin që i pandehuri Meçe do të dalë nga gjendja e komës, të bëhet i ndërgjegjshëm dhe të japë pëlqimin e tij për zgjedhjen e një avokati gjykata do të vijojë gjykimin e tij.
PROCESI
Dosja në ngarkim të katër ish-eprorëve të Shërbimit Sekret, të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e të fundit filloi në gusht të vitit 2008. Për shkak të rënies në gjendje koma, të të pandehurit Meçe, gjykimi i tij u veçua nga të bashkëpandehurit e tjerë. Gjykata për Krimet e Rënda ka zhvilluar shtatë seanca, ndërsa nuk është deklaruar ende i hapur gjykimi i tij. Budjon Meçe akuzohet për “Rrëmbimi i personit”, në tri raste i kryer në bashkëpunim si dhe “Tortura me pasoja të rënda”. Në vitin 1995, kur është shënuar edhe ngjarja për të cilën akuzohet nga prokuroria, Meçe mbante detyrën e inspektorit në Drejtorinë e Shërbimit Informativ në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›