E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambulanca godet benzin në rrugë, 6 të vdekur nga aksidenti

 

KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Aksident tragjik ndodhi mbrëmë në aksin Laç-Krujë, ku mbetën të vdekur 6 persona. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:15, kur autoveturë u përplas me ambulancën e spitalit të Kurbinit. Për pasojë, pesë të rinj që ndodheshin në benz gjetën vdekjen, ndërsa viktima e gjashtë është drejtuesi i ambulancës. Ndërkohë deri në orët e vona nuk u konfirmua zyrtarisht nga policia vdekja e viktimës së shtatë. Ngjarja tragjike vuri në alarm mbrëmë gjithë policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për t’iu ardhur në ndihmë viktimave. Dy prej tyre mësohet se u gjetën ende me shenja jete, por ata ndërruan jetë gjatë rrugës për në spitalin ushtarak. Sipas policisë, viktimat janë Vlash Suti, 45 vjeç, shoferi i ambulancës, Eri Murati, 17 vjeç, vëllai i tij, Ili Murati, 15 vjeç, Artan Alushi, 30 vjeç, Indrit Kaci, 18 vjeç dhe Florian Muzhaqi, 26 vjeç. Të pesë viktimat ishin nga fshati Bushnesh i Krujës ndërsa mësohet se ishin nisur nga fshati i tyre për të kaluar disa orë së bashku në Tiranë. Por shpejtësia e madhe e të dy mjeteve ka rezultuar fatale. Në fshatin Derven, në afërsi të një karburanti, mjetet janë përplasur me njëra-tjetrën. Për pasojë, ambulanca me targë LA 6904 A ka dalë jashtë rruge duke përfunduar në një kanal. Ndërsa benzi, si pasojë e përplasjes së fortë është ndarë në disa pjesë. Përplasja e tyre ka vënë në rrezik edhe drejtuesit e mjeteve të tjera që udhëtonin me të njëjtën shpejtësi drejt Tiranës dhe anasjelltas. Policia mbërriti vetëm pak minuta pas aksidentit të rëndë në vend nga ku konstatoi pasojat fatale të ngjarjes. Është dashur disa minuta derisa të mund të nxirreshin të gjithë të rinjtë nga benzi, dhe të niseshin drejt Spitalit Ushtarak, ndonëse vetëm dy prej tyre paraqisnin shenja jete. Ata kishin pësuar vdekje klinike, por nuk mundën t’i përballonin plagët dhe shembjen e shkaktuar nga përplasja e fuqishme. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe familjarë të viktimave, të cilët vunë kujën kur u ndeshën me pamjen e tmerrshme. Ndonëse ende nuk ishte konfirmuar vdekja e tyre, vetë dëmet e shkaktuara të mjeteve nënkuptonin se asnjëri prej tyre nuk i kishte shpëtuar aksidentit të rëndë. Disa momente më pas, blutë morën konfirmimin nga Tirana se pasojë e kësaj ngjarje tragjike ishin gjashtë të vdekur. Me ndihmën edhe të familjarëve u krye identifikimi i kufomave. Trupat e tyre u tërhoqën po mbrëmë nga familjarët e tyre për t’iu dhënë lamtumirën e fundit. Sipas policisë, benzi i aksidentuar me ngjyrë gri dhe me targë TR 1579 A po udhëtonte drejt Tiranës, kur papritur është ndeshur ballë për ballë me mjetin që lëvizte në drejtim të Laçit. Të njëjtat burime u shprehën mbrëmë se përplasja kishte ndodhur si pasojë e shpejtësisë së dy mjeteve, si dhe lëvizjes në korsinë e gabuar të ambulancës. Shoferi i saj, Vlash Suti kishte qenë në Spitalin Ushtarak ku kishte dërguar me urgjencë një fëmijë të sëmurë. Deri në orët e vona nuk u konfirmua nëse kishim të bënim edhe me një viktimë të shtatë.

VIKTIMAT

Vlash Suti, 45 vjeç
Eri Murati, 17 vjeç
Ili Murati, 15 vjeç
Artan Alushi, 30 vjeç
Indrit Kaci, 18 vjeç
Florian Muzhaqi, 26 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›