Nata e bardhë, grabitet një kazino në Laprakë
Tirane - Nata e Bardhë që prej 5 vitesh festohet në kryeqytet, nuk ka kaluar pa incidente, ndërsa hajdutët duket se kanë shfrytëzuar rastin. Një lokal lojërash fati në Laprakë, është grabitur nga dy persona të maskuar dhe me armë, të cilët ende nuk janë identifikuar nga policia. Pasi kanë kërcënuar një nga punonjësit e lokalit, personat e armatosur kanë mundur të marrin të gjitha paratë që ndodheshin në arkë dhe më pas të largohen pa lënë gjurmë. Ndërsa dy vajza që ecnin nëpër rrugët e ish-bllokut janë sulmuar nga persona të panjohur, të cilët kanë tentuar që t’iu rrëmbejnë çantat nga krahët, por nuk ia kanë arritur. Edhe pse për të tre rastet është lajmëruar policia, siç duket grabitësit kanë përfituar nga rrëmuja nëpër rrugët e Tiranës dhe janë larguar pa arritur të ndalohen nga policia. Ngjarja e parë është regjistruar rreth orës 24:00 dhe ka qenë pronari i lokalit të lojërave të fatit të grabitur, ai që ka lajmëruar forcat e policisë së Komisariatit Nr.3. Sipas burimeve nga policia mësohet se ngjarja ka ndodhur në Laprakë, në një moment kur në lokal nuk kishte shumë klientë dhe arkëtari ka qenë duke mbyllur llogarinë e ditës. Në polici janë denoncuar dy persona të maskuar dhe me armë, që janë futur në ambientet e brendshme dhe duke i drejtuar armën arkëtarit kanë mundur që të marrin të gjitha paratë e fituara gjatë ditës. Policia ka sekuestruar kasetat filmike të kamerave të sigurisë, për të bërë te mundur identifikimin e autorëve, që më pas pritet që t’i çojë në gjurmët e tyre. Ndërsa dy vajzat e sulmuara në rrugët e ish-Bllokut edhe pse kanë denoncuar tentativën për t’u vjedhur, nuk kanë mundur që të japin asnjë detaj në lidhje me personat, me të cilët ishin përballur. Ato kanë treguar se dikush ua kishte tërhequr çantat nga krahët, por duke qenë se rrugët ishin të tejmbushura ato kanë kërkuar ndihmë dhe hajdutët janë larguar pa arritur të realizojnë qëllimin. Mësohet se forcat e policisë të Komisariatit Nr.2 po punojnë për zbardhjen e ngjarjeve, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar. Po kështu deri në orët e vona të mbrëmshme edhe grabitja e lokalit të lojërave të fatit ka mbetur pa autorë, edhe pse shuma e parave të vjedhura është e konsiderueshme.