Itali, shqiptari me heroinë, kokainë dhe 300 mijë euro
ITALI/TARANTO – Policia italiane ka vënë në pranga një shqiptar të kapur me 1.5 kilogramë heroine, 200 gramë kokainë dhe 300 mijë euro. Lajmin e pohojnë mediat italiane, të cilat u referohen burimeve të policisë vendase, që pohojnë se arrestimi i 27 vjeçarit shqiptar me iniciale E.M. është bërë në periferi të Teramos në zonën e Alba Adriatica. I riu shqiptar qëndronte prej shumë vitesh në këtë zonë ndërsa kishte përfituar leje qëndrimi dhe dokumente të tjera të rregullta nga kuestura e Tarantos, ndërsa punonte në sektorin e ndërtimit në Massafra. Një javë para operacionit policor që zbuloi drogën dhe shumën e konsiderueshme të parave, u vu në pranga 27-vjeçari shqiptar teksa po transportonte me makinë një bashkatdhetarin e vet, që qëndronte ilegalisht në Itali. Sipas mediave italiane gjatë kontrollit policia italiane ka gjetur një makinë edhe një motoçikletë, ndërsa është hedhur dyshimi se i drejtuesi i mjetit dhe personi që ai transportonte ishin përfshirë në aktivitete të paligjshme. Pas kësaj të dy këta janë vënë në pranga dhe janë dërguar në izolim në polici, ndërsa ndaj tyre janë nisur hetime të mëtejshme. Verifikimet e mëtejshme kishin nxjerrë se drejtuesi i mjetit 27-vjeçari E.M., pak kohë më parë kishte blerë një apartament nga një agjenci e shitjes së pasurive të paluajtshme. Pikërisht kjo banesë në Alba Adriatica u bë objekt i kontrollit nga policia italiane, ku u gjetën pesë kallëpe heroine dhe kokaine dhe sasia prej 300 mijë eurosh, si dhe një celular që ishte vendosur bashkë me to. Pas kontrollit policia publikoi të dhëna nga operacioni, duke pohuar se lënda narkotike ishte fshehur në një hapësirë të posaçme në njërin nga muret e kuzhinës, ku ishte e vështirë të dallohej me sy të lirë. Shqiptari, pronar i banesës kishte krijuar me mjeshtëri këtë vend, duke fshehur në të narkotikun dhe shumën e majme të parave, e cila nuk justifikohej nga puna e tij në sektorin e ndërtimit. Pas kësaj 27-vjeçari shqiptar dhe bashkatdhetari i tij, janë dërguar në qelitë e paraburgimit, ndërsa kanë nisur ndaj tyre hetimi nën akuzën e “trafikut ndërkombëtar të narkotikeve”. f.m.