Arsimimi, 20% e nxënësve mbeten me shkollë 9-vjeçare
zirina llambro
Mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe stopojnë me arsimimin. Janë jo pak, por 20% e nxënësve në të gjithë vendin. Përpos kësaj, në dy vitet e fundit numri i atyre që ndjekin gjimnazin me shkëputje nga puna është rritur me 7,577 persona. Rezultatet në mësime, kur pasditeve adoleshentëve u duhet të punojnë, qartazi nuk mund të jenë kushedi çfarë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën publike të dhënat. ”Duhet vënë në dukej se përqindja aktuale e thithjes nga arsimi bazë konsiderohet akoma e ulët, krahasuar kjo edhe me standardet evropiane, që janë në nivelet 95%-100%”, thuhet në dokumentin strategjik të MASH. Aty paraqiten objektivat për 4 vitet e ardhshme në arsimin parauniversitar. Në të saktësohet se me gjithë përmirësimet e bëra vitet e fundit, ku frekuentimi i gjimnazeve është rritur me 9% mbetet ende punë për të bërë. Sipas ekspertëve të MASH, një nga nismat që do të ndryshonte kryekëput shifrat është kthimi i arsimit të mesëm në të detyrueshëm. Disa muaj më parë në një deklaratë për mediat vetë ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, pohoi një gjë të tillë. “Arsimi i mesëm brenda katër viteve të ardhshme do jetë me detyrim për të gjithë nxënësit”, këtë premtim, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Myqerem Tafaj, e bëri dje nga qyteti i Vlorës. Gjatë analizës vjetore të drejtorisë arsimore të këtij qarku, ai u ndal në pikat kyçe të reformës në arsim “Në bashkëpunim me pushtetin lokal ne do të arrijmë objektivin e braktisjes së arsimit bazë në masën 0%, dhe ndihma duhet të jetë edhe për thithjen e nxënësve jo vetëm në arsimin 9-vjeçar, por edhe në arsimin e mesëm, duke e kthyer atë në një arsim të detyrueshëm”, është shprehur ministri Tafaj. Gjithsesi, nuk dihet nëse vendimi i ri do të nisë të aplikohet që nga viti i ardhshëm apo është një objektiv për më vonë. Një tjetër problematikë në gjimnaze mbetet infrastruktura. ”Me gjithë treguesit në rritje, arsimi i mesëm ka mangësi, duke nisur që nga mbipopullimi i klasave në qytetet e mëdha apo me numrin e paktë të nxënësve në zonat rurale, që rrit shpenzimet për nxënës në to”, thuhet në strategjinë kombëtare 2009-2013. Në të sqarohet se, programet mësimore janë të ngarkuara nga ana konceptuale dhe kanë më shumë karakter teorik. ”Mungojnë metodat bashkëkohore të të mësuarit në funksion të nxitjes së të menduarit kritik”, vërejnë ekspertët. Në dy vitet e fundit ka një rritje të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm jo publik, me mesatarisht 2,000 nxënës në vit. Për 4 vitet e ardhshme MASH ka si objektiv thithjen e sa më shumë nxënësve edhe në arsimin profesional, duke e çuar numrin e tyre nga 19% në 40% në raport me arsimin e mesëm të përgjithshëm.