Agolli: Me mungon goli

Bëhet fjalë për Ansi Agollin, mesfushorin e këmbëmajtë të Kombëtares, i cili militon që në fillim të sezonit tek ish-skuadra e tij e zemrës.
Bëri të pamundurën për të bindur drejtuesit e skuadrës finlandeze, që t’i jepte lejekalimin për te 23 herë kampionët e Shqipërisë.
Dhe që nga dita që shkeli tek ish-klubi i tij, është një titullar i padiskutueshëm i ekipit si në “erën” Slishkoviç, ashtu edhe në këtë të trajnerit të sapoemëruar, Kola.
Paraqitja e tij në këtë pjesë të sezonit ka qenë e kënaqshme, por megjithatë atij i mungon diçka, një gol. Në 15 takimet e zhvilluara në kampionat deri tani, ende nuk e ka provuar atë shije të mrekullueshme, që të lë topi kur përfundon në rrjetë falë kontributit tënd.
“Personalisht kam dëshirë të shënoj një gol pasi, edhe pse nuk jam unë sulmuesi që konkretizoj aksionet, kënaqësia është me të vërtetë e madhe”, ka rrëfyer dje Agolli.
Megjithatë shënimin e golit nuk e ka objektiv primar. Më të nevojshme e shikon domosdoshmërinë e fitoreve të Tiranës, por kënaqësia do të ishte edhe më e madhe, nëse ajo do të arrije edhe falë golave të tij. Pas një periudhe krize rezultatesh, bardheblutë janë rikthyer te loja e mirë, por për Agollin është e nevojshme vazhdimësia e takimeve të fundit edhe në pjesën e mbetur deri në intervalin e merkatos së dimrit.
“Në Vlorë, do të jetë ndeshje e vështirë, shpresojmë të marrim trepikëshin edhe pse fusha e Vlorës ka qenë gjithmonë problem për ne, nënvizon mesfushori. Gjykoj se ekipi është në formë të mirë dhe ka bërë progres në dy takimet e fundit, duke u çliruar psikologjikisht dhe duke menduar për më të mirën. Duhet që t’i fitojmë këto dy ndeshje të mbetura nga ky vit”.
Tiranës në këtë ndeshje do t’i mungojë Dabulla e Mukaj, ndërsa janë në dyshim Kçira e Sefa. Ndërkohë që Abraham e shikon veten gjithmonë e më larg Tiranës së 2009-ës.
Këtë e konfirmon edhe vetë nigeriani, i cili duket i joshur nga milionat e kroatëve të Hajdukut: “Më pëlqen Tirana, por menaxheri duket se po ndërhyn për një lëvizje drejt Kroacisë”.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code