E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Një ditë, frika do t‘i bashkojë Ramën me Metën

Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, ka deklaruar dje se e majta do të bashkohet më në fund edhe pse sot ajo paraqitet e ndarë edhe ndërluftuese. Gjatë një prononcimi për mediat, patriarku i së majtës shqiptare, ka prekur sërish çështjen e uljes së tensioneve në mes dy forcave kryesore të opozitës: Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat prej kohësh po përjetojnë një periudhë të rëndë tensioni. Duke folur për perspektivën e një bashkëpunimi, shkrimtari i shquar shqiptar, i është referuar një prej instinkteve më kryesore njerëzore, frikës. "Po të themi në mënyrë popullore, ata do t‘i bashkojë frika, se në frikë njerëzit bashkohen. Në mos e bëfshin përpara zgjedhjeve, pas do ta bëjnë. Nëse janë të ndarë veç e veç vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009", deklaroi Dritëro Agolli. Në fakt, apeli i shkrimtarit, por edhe i personaliteteve të tjera të së majtës për një bashkim mes Ramës dhe Metës, ka kohë që prononcohet, por gjithçka ka ngecur te varianti para apo pas zgjedhjeve. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje se ekziston mundësia e një koalicioni pas ballafaqimit elektoral të vitit të ardhshëm. Në fakt, pas samitit të Partive Socialiste Evropiane, që u mbajt pak kohë më parë në Madrid, bateritë e akuzave të ndërsjella mes socialistëve dhe LSI-së kanë rënë disi, duke u shtuar edhe me tonet përkatëse. Shumë aktorë politikë që identifikohen majtas, kanë shtruar shqetësimet se një e majtë e ndarë do të favorizonte Berishën. Por kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ka hedhur tezën se nëse forcat e opozitës nuk sulmojnë egër njëra-tjetrën ata mund të garojnë të ndara, por më pas mund të bashkëpunojnë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Ndërkaq, Dritëro Agolli, gjatë prononcimit të tij, i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të mos e nënvlerësojë partinë tjetër të së majtës, por ta respektojë forcën dhe mbështetjen elektorale të saj. "Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti me një vitalitet shumë të madh, ajo nuk është si partitë e krahut tjetër, por i përket së majtës", ka deklaruar shkrimtari i madh. Në fakt, Agolli prej kohësh nuk ka reshtur së përsërituri kërkesën për bashkëpunimin mes selisë rozë dhe "djemve plangprishës" të LSI-së. Megjithatë, lidershipi socialist nuk i ka mbajtur mëri patriarkut të së majtës shqiptare. Vetëm pak ditë pas deklaratës së Dritëroit gjatë grevës së urisë së deputetëve të LSI-së, lideri i opozitës, Edi Rama, është takuar me shkrimtarin e madh gjatë një dreke me rastin e 29 Nëntorit, ku janë parë shumë miqësorë me njëri-tjetrin. Vetë Agolli deklaroi atëherë se ai mbetej socialist, pavarësisht se here pas here edhe mund të kishte opinionet e tij që mund të ishin edhe kritika. Në këto ditë të fundit të vitit, rikthehet sërish në politikën shqiptare, tendenca për një paqe mes Ramës dhe Metës, e cila do të vazhdojë siç duket seri në seancën kur të miratohet dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor, kur do të verifikohet nëse do të thellohet hendeku mes të majtës apo jo.

Këshilla

"Rama të jetë më i kujdesshëm në trajtimin e brezave"

Në një intervistë të paradokohshme në media, Agolli shprehet me humor se vetëm Vranicki ose Bushi mund të ndërmjetësonte bashkimin e partive të majta në këtë moment. Duke njohur mirë peshën e gjithsecilit në PS, Agolli konsideron figurat e vjetra të saj, Ruçin, Doklen, Malajn, Islamin etj., si shtylla të forta pa të cilat kjo parti mund të shkërmoqej dhe të tkurrej në një parti të vogël. Për këtë ai i kërkon Ramës që të jetë i kujdesshëm në menaxhimin dhe alternimin e brezave në Partinë Socialiste. Me të ardhur në krye të PS-së, kryetari i saj, Edi Rama, ka premtuar një opozitë ndryshe, jo e stilit Berisha, por një opozitë me alternativa. Por pas tre vjetësh shohim se alternativa nuk ka pasur, fillimisht dëgjuam bilbila dhe zhurmë, gjë që solli herë-herë dhe rezultate, për ato çështje që kërkoheshin, ndërsa muajt e fundit, kemi një opozitë mjaft të qetë. Sipas shkrimtarit, "Opozita duhet ta ngrejë zërin më shumë se sa të bojkotojë. Por ajo që mua më mundon më shumë është përçarja e opozitës, ku çdo pjesë e saj vepron më vete". Ndërkaq, për Ramën, Agolli është shprehur se "ai është një njeri aktiv, i veprimit, i zoti nga kjo anë. Ka gjetur një mënyrë të mirë komunikimi me njerëzit, duke shkuar në të gjithë vendin, krahina, komuna, fshatra dhe takon njerëzit dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë, pavarësisht përmbajtjes së këtyre takimeve. Ky është një veprim për njohjen e njerëzve, ndoshta edhe ‘përtej të majtës dhe të djathtës‘, ai mund ta ketë një ide shumë të mirë, por nuk arrin ta shpjegojë se si arrihet kjo, se si kërkon të marrë atë kategori votuesish që janë të pavendosur dhe shkojnë sa nga njëra anë dhe sa në tjetrën, të cilët në fjalorin politik quhet "kënetë", "moçal".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›