Kultivoi kanabis, kapet pas dy vjetësh gruaja
Një 40-vjeçare nga Rrethi i Mallakastrës është vënë në pranga pasditen e së enjtes, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Gjykata e Fierit e kishte shpallur 40-vjeçaren fajtore për kultivimin e bimës narkotike të llojit kanabis sativa dhe e kishte dënuar atë në mungesë me pesë vjet heqje lirie. Lajmi u bë i ditur dje nga burimet zyrtare të Policisë së Ballshit. Agjentët e policisë së këtij komisariati e kishin prej dy vjetësh në listën e të kërkuarve 40-vjeçaren Fatbardha Sulaj. Ajo i kishte shpëtuar arrestimit pasi ishte larguar nga Shqipëria, por pak ditë më parë ishte kthyer për të kaluar festat me të afërmit e saj në fshatin Fratar të Mallakastrës. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e gruas, efektivë të policisë shkuan në banesën e 40-vjeçares dhe kanë arrestuar atë. Ajo është transportuar si fillim në mjediset e Komisariatit të Ballshit dhe më pas drejt qelive të paraburgimit të Policisë së Fierit. Fatbardha Sulaj ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me pesë vjet burg, pasi më 23 shtator 2006, është kapur duke kultivuar 92 rrënjë kanabis sativa, ndërsa në shtëpi i janë gjetur edhe 47 kg lëndë narkotike.